“Personat e vaksinuar mund ta përhapin koronavirusin”

 

Në një shkrim në Sunday Telegraph, eksperti britanik i shëndetësisë, Jonatan Van Tam ka paralajmëruar se edhe personat e vaksinuar kundër koronavirusit mund të bartin virusin te të tjerët. Gjithsesi ai tha se vaksinat ofrojnë “shpresë” dhe se shkalla e infektimit duhet të nisë të ulet së shpejti.

Ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hanccok ka thënë se 75% e personave mbi moshën 80-vjeçare në Mbretëri të Bashkuar tani kanë marrë dozën e parë të vaksinës.

Vaksinat e kompanive, Pfizer/BioNTech dhe Oxford-AstraZeneca, duhet të merren në dy doza.

Profesori Van-Tam ka thënë se “asnjë vaksinë nuk është” 100% efektive, andaj edhe nuk ekziston mbrojtja e garantuar.

“Edhe pasi të keni marrë të dyja dozat e vaksinës, ju ende mund t’ia transmetoni koronavirusin dikujt tjetër dhe zinxhiri i bartjes më pas vazhdon”, ka shkruar ai.

Sipas të dhënave qeveritare, në gjithë Britaninë e Madhe, 5.8 milionë persona janë vaksinuar kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Sistemi Kombëtar i Shëndetësisë në këtë shtet, ka thënë se nga dita e hënë do të hapen qendra të reja të vaksinimit.

Në mbarë botën ka shkuar në mbi 99.4 milionë numri i të infektarve me koronavirus, 2.1 milionë prej të cilëve kanë vdekur, ndërsa mbi 71 milionë të tjerë janë shëruar./21Media

Back to top button