Personat e zhdukur, Kosova i dërgon zyrtarisht Serbisë kërkesën për hapjen e arkivave

Kryetari i Komisionit për Personat e Pagjetur, Andin Hoti, ka njoftuar se iu është drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në shkresën e parë për të kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.

Bazuar në Deklaratën për Persona të Zhdukur e nënshkruar në Bruksel nga Kosova dhe Serbia, Hoti i ka dërguar kërkesën e parë “për qasje të plotë në materialin arkivor, përfshirë por jo e kufizuar në dokumentet e klasifikuara, të lëshuara nga Komanda e shpërbërë e Brigada 37 e ushtrisë jugosllave”.

“Shkresa që po e publikoj këtu, është vetëm shkresa e parë drejtuar Serbisë, për të kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me force gjatë luftës. Ne kemi kërkuar nga Presidenti i Serbisë, të gjitha informacionet, përfshirë edhe ato të klasifikuara, për Komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave. Kjo brigadë, përveç tjerash ka kryer krime në regjion të Drenicës. Nga masakrat e kryera në fshatrat e Drenicës nga kjo njësi, ka ende civilë shqiptarë të zhdukur”, ka shkruar Hoti.

Hoti ka thënë se kanë filluar me Drenicën sepse “pikërisht në Drenicë, Serbia ka filluar me krimet masive ndaj popullit shqiptar”./21Media

Back to top button