Petkoviq i reagon Kurtit: Publikimi i emrave listë pushkatimi

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq i ka reaguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit pas përmendjes së emrave të disa personave, të cilët i quajti  “organizatorë kryesorë të trazirave në veri”.

Petkoviq e cilësoi atë si “listë për pushkatim”.

Ai tha se me publikimin e saj, Kurti “ka marrë peng të gjithë ata banorë që duan vetëm paqe, stabilitet dhe mundësi për të jetuar në një shoqëri pak a shumë normale, në kohë paqeje”.

Në komunikatën e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë thuhet, po ashtu, se Kurti e ka humbur mbështetjen e ndërkombëtarëve – pa u specifikuar se të kujt – dhe se po përpiqet ta pengojë me forcë largimin e tij “në histori politike”.

“Kërcënimet e Kurtit dhe shënjestrimi i njerëzve janë terror i pa maskuar dhe janë një paralajmërim i përshkallëzimit total, të cilin, shpresojmë se askush në bashkësinë ndërkombëtare nuk e dëshiron apo e përkrah”, ka përfunduar Petkoviq, thuhet në deklaratën e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.

Kryeministri Kurti gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës më 2 qershor, tha se protestat në veri të vendit nuk janë vullnet i serbëve që jetojnë në ato komuna, por janë të organizuara nga Beogradi zyrtar./21Media

Back to top button