Pfizer/BioNTech: Tri doza të vaksinës janë efektive kundër variantit të ri

Kompanitë Pfizer dhe BioNTech njoftuan se tri doza të vaksinës kundër COVID-19, treguan që gjenerojnë efekte neutralizuese kundër variantit të ri të koronavirusit, Omicron.
Në njoftimin e parë zyrtar Pfizer dhe BioNTech njoftuan se dy doza të vaksinës rezultuan që kanë më pak efekt në neutralizimin e antitrupave por me dozën e tretë të vaksinës, vërehet rritja e efikasitetit.
Rezultatet janë preliminare derisa gjetjet janë përshkruar vetëm në një komunikatë për media. Informacione tjera nuk janë bërë të ditura. Kompania mes tjerash shtoi se nëse është e nevojshme, vaksinat që do të kishin për bazë variantin Omicron do të mund të ishin gati deri në mars 2022.
Njëkohësisht edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se vaksinat mbrojnë njerëzit nga varianti Omicron. Sipas doktorit Mike Ryan nga OBSH-ja, të dhënat e para dëshmojnë se Omicron nuk është më i rrezikshëm sesa Delta apo variantet tjera. Ndryshe varianti i ri i koronavirusit, Omicron po shpërndahet me shpejtësi në mbarë botën. Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi më 3 dhjetor se ky variant është identifikuar në 38 shtete, por deri më tani nuk është regjistruar asnjë vdekje që lidhet me këtë variant.
Fabrikat e prodhimit të vaksinave në Bashkimin Evropian pritet që të prodhojnë 3.6 miliardë doza të vaksinës kundër koronavirusit gjatë vitit të ardhshëm. Ndërkaq, në nivel botëror, pritet që të prodhohen mbi 20 miliardë doza, thanë zyrtarët e BE-së.
Shtetet e BE-së kanë nisur të administrojë doza përforcuese, pasi kanë arritur që të vaksinojnë pothuajse 70 për qind të popullatës së BE-së me dy doza. Ndërkaq, përqindja e vaksinimit me dy doza në Afrikë është vetëm 7 për qind, thuhet në të dhënat e BE-së
Prodhuesit më të mëdhenj në Evropë të vaksinave aktualisht janë kompania Pfizer dhe BioNTech./21Media

Back to top button