Pjesëmarrja në presidencialet në Francë 65,3 për qind
Sipas Ministrisë së Brendshme ,pjesëmarrja në mesditë u regjistrua në 28,23 për qind
Përqindja e pjesëmarrjes në turin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Francë, që ka përballur në balotazh kandidatin e qendrës, Emmanuel Macron dhe kandidaten e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, arriti në 65,3 për qind në orën lokale 17:00 (15:00 GMT), në rënie në raport me turin e parë të zgjedhjeve presidenciale ku pjesëmarrja ishte 69,42 për qind, njoftoi Ministria e Brendshme.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 në të njëjtën orë gjatë turit të dytë, kjo përqindje arriti në 71,96 për qind.
“Pjesëmarrja në mesditë u regjistrua në 28,23 për qind”, njoftoi më herët Ministria e Brendshme.
Renditur në krye në turin e parë, Emmanuel Macron, 39 vjeç, ish-bankier dhe ish-ministër i Ekonomisë i presidentit në ikje François Hollande është favorit në turin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, sipas sondazheve të fundit që e kreditojnë me 61,5-63 për qind të votave kundër 37-38,5 për qind për rivalen, Marine Le Pen, 48 vjeçe.
Por votimi i papritur në mbështetje të Brexit në Britaninë e Madhe apo fitorja e paparashikuar e Donald Trump në SHBA ka nxitur padurimin përballë sondazheve që mundohen të masin në Francë efektin e mundshëm të votës së bardhë dhe abstenimit.