Policia arreston 8 të dyshuar për sulmin në Ibër-Lepenc, konfiskon armatim
Tetë persona janë arrestuar lidhur me shpërthimin e mbrëmshëm në kanalin e Ibër-Lepencit. Kështu bëri të ditur Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media.
Sveçla ka thënë se kanë konfiskuar edhe një arsenal të armëve, municion, eksploziv, emblema, pajisje ushtarake, të cilat do të shërbejnë si dëshmi relevante që ndërlidhen me akte kriminale.
“Institucionet e Kosovës nuk do të ndalen derisa këta kriminelë e terroristë të ndalohen e të përballen me drejtësinë e Kosovës”, tha Sveçla.
Sveçla po ashtu ka deklaruar se institucionet e Kosovës do të parandalojnë aktet e tilla terroriste në të ardhmen dhe të zbardhet ky rast dhe përgjegjësitë të marrin dënimin e merituar.
“Policia do të merr masa për parandalimin e sulmeve të tjera terroriste dhe t’iu del në ndihmë qytetarëve pa asnjë dallim. Ftoj të gjithë t’iu referohen vetëm informacioneve zyrtare”, ka thënë Sveçla.