Policia bashkë me përfaqësuesit e institucioneve vendore për zgjedhjet

 

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti së bashku me menaxhmentin e lartë të PK-së, priten në takim zyrtar përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare si; Kryetaren e KQZ-së, Koordinatoren nacionale nga Prokuroria e Shtetit, Komandantin e KFOR-it, Shefin e EULEX-it, Shefen e Zyrës Rajonale të Sigurisë pranë Ambasadës Amerikane, ICITAP-it Amerikan, përfaqësues të OSBE-së dhe përfaqësues të zyrës së BE-së. Qëllimi i këtij takimi ishte i karakterit njoftues lidhur me implementimin e planit policor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, përmes të cilit Policia e Kosovës synon krijimin e një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

Sipas një komunikate për media ky plan parasheh bashkërendimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta të parapara sipas Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes të institucioneve kompetente vendore, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

Institucionet relevante inkurajojnë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, KQZ-në dhe njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë, me procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre.

“Raportimet e juaja do të trajtohen në mënyrë konfidenciale, të njëjtat mund t’i adresoni te Prokuroria e Shtetit dhe te Policia e Kosovës. Në polici mund të raportoni nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose në adresën elektronike info@kosovopolice.com si dhe në stacionet më të afërta policore”, ka njoftuar policia./21Media

Back to top button