Policia e Kosovës ia shkëputi kontratën, reagon Amir Hoxha
Zyrtari i Policisë së Kosovës, Amir Hoxha, pak orë pasi ka bërë të ditur se më nuk është pjesë e këtij institucioni, ka reaguar duke thënë se ka marrë njoftimin për shkëputjen e kontratës nga Policia e Kosovës.
Amir Hoxha ka shkruar një status të gjatë pas shkarkimit të tij nga pozita e policit.
Ai ka thënë se nuk ka kritikuar dhe nuk është fokusuar në ndonjë subjekt të veçantë partiak, “thjesht kam adresuar një çështje që më ka preokupuar mua si zyrtar policor”.
“Çështja ime ka marrë konotacion politik e që nuk ka qenë qëllimi im asisoj, nuk me intereson as që më ka interesuar ndonjëherë asnjë subjekt politik , apo nuk janë lëpirë pas pushteteve vetëm e vetëm të ndërtoj karrierë apo të ngrihem në pozitë . Pse militantet e një subjekti të caktuar politik kanë krijuar këso qasje ndaj meje nuk po arrij ta kuptoj, unë nuk e kam kritikuar as që jam fokusuar në ndonjë subjekt të veçantë partiak, thjesht kam adresuar një çështje që më ka preokupuar mua si zyrtar policor.Jam ndier i prekur nga vet institucioni i policisë ku kam shërbyer e nuk kam kursyer as shëndetin tim në shërbim të tij, e që së fundmi në të gjitha mënyrat më të ulëta më ka sulmuar, denigruar e më ka shkelë çdo të drejtë”, ka shkruar Hoxha në Facebook.
Ndër të tjera, ai ka thënë se është krenar për punën dhe kontributin e tij në Policinë e Kosovës.
“Krejt në fund unë Amir Hoxha jam krenar për punën dhe kontributin tim për Policinë e Kosovës dhe do të jem sa të jem gjallë, poashtu me gëzon fakti se kem shërbyer bashkërisht me shumë djem e vajza që kanë qenë shume profesional, të guximshëm e atdhetarë e që është një vlerë jetike e vet Shtetit te Kosovës në përgjithësi e Policisë si institucion në veçanti, mirëpo në rastin tim a e kam merituar at trajtim nga shteti i Kosovës?”, ka shkruar ai.
Tutje ai ka thënë se ky do të jetë postimi i fundit lidhur me këtë çështje.
“Ky dhe mbetet postimi im i fundit dhe me këtë dua ta përmbyll këtë çështje, thjesht dua ta jetoj jetën time ku dhe me kënd të dua. E drejta e jetës dhe lirisë më është garantuar me ligj kudo që unë vendos te jetoj”, ka shkruar ndër të tjera në Facebook./21Media