Policia e Kosovës largon kamerat ilegale në Kllokot, Partesh dhe Ranillug

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë e shtetit ka larguar kamerat ilegale në komunat Kllokot, Partesh dhe Ranillug të rejonit të Gjilanit

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.

Policia thotë se sekuestrimi i kamareve është bërë për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara”.

“Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan me datën 21.12.2023 në koordinim e prokurorinë e shtetit ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës kompetente në Gjilan në bazë të së cilës ka sekuestruar kamerat të cilat kanë qenë të vendosura në vende publike në komunat e Kllokot, Partesh dhe Ranillug të rejonit të Gjilanit. Sekuestrimi i kamareve është bërë për shkak të dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e veprës penale ‘’Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara’’ nga neni 202 i KPRK-së, në mbështetje të ligjit për Policinë e Kosovës me numër 04/L-076, neni 25 dhe ligjit numër 06/L-082 për mbrojtjen e të dhënave personale”, ka thënë Osmani.

Ai ka thënë se në lidhje me këtë urdhër të Prokurorit të shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara” rast i cili vazhdon të hetohet nga sektori i hetimeve rajonale në Gjilan./21Media

Back to top button