Policia e Kosovës: Personat e ndaluar në Merdare i kthyem në Serbi, kamionët me material janë në Doganë

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka sqaruar zhvillimet e mbrëmshme në Merdare, ku u ndalua për intervistim koordinatori nga Serbia që sillte në Kosovë materialin për referendumin e Serbisë.
Sipas policisë në Pikën e kalimit Kufitar Merdare që lidh Serbinë me Republikën e Kosovës (RKS), në hyrje për në vendin tonë, kanë ardhur tri automjete (një veturë dhe dy kamion) me targa të Serbisë, në të cilat kanë qenë gjashtë persona.
Kështu njësitet policore gjatë realizimit të detyrave dhe procedurave-kontrolleve që zbatohen gjatë kalimeve kufitare, kanë vërejtur se në kamion kishte të ngarkuar material që dyshohej se përdoret për ‘referendumin’ që pritet të mbahet në Serbi.
”Bazuar në informacionet zyrtare, detyrat dhe autorizimet policore, është ndaluar hyrja në RKS, e këtij materiali i cili po transportohej pa leje përkatëse. Në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, dy mjetet transportuese (kamionët) janë dërguar tek autoritet kompetente doganore, ndërsa pas intervistimit personat me automjetin e tyre janë kthyer mbrapa në Serbi”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, edhe drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq sot ka deklaruar se ”ne i liruam njerëzit tanë, por Policia e Kosovës dhe Prishtina konfiskuan materialin për votim në referendum, gjë që është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet”.
Rasti do të vazhdojë të trajtohet në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe organet e drejtësisë./21Media

Back to top button