Policia me plan operativ për festa

Policia ka një apel për qytetarët

Policia e Kosovës në prag të festave të fundvitit ka përgatitur urdhrin operativ “Fund Viti – 2019 dhe fillimi i 2020” për të ofruar siguri, rend dhe qetësi publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Sipas një njoftimi të policisë, qëllimi i këtij planifikimi dhe angazhimi të Policisë së Kosovës, është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike në mbarë vendin, shtimi i prezencës policore në rrugë dhe ambiente të hapura, në sheshe e lokacione ku ka frekuentim të qytetarëve, parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale, si dhe parandalimi i rasteve të mundshme të natyrave të ndryshme.

Gjithashtu, policia njofton se pjesë e planit është edhe shtimi i prezencës policore në komunikacionin rrugor, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe incidenteve të mundshme në trafik, andaj Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët e vendit, që të respektojnë dispozitat ligjore, të respektojnë shenjat e trafikut, të ju përmbahen kushteve të rrugës si dhe të mos drejtojnë automjetet nën ndikim të alkoolit.

“Po ashtu PK-ja me theks të veçantë apelon tek ç’do prind që të jenë më të kujdesshëm dhe më vigjilentë në parandalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike sidomos nga fëmijët, me qëllim të shmangies së rrezikut që mund të shkaktojnë mjetet plasëse, fishekzjarrët ku si pasojë e mospërdorimit adekuat të tyre vite më parë janë evidentuar incidente me pasoja të rënda. Në të kundërtën Policia e Kosovës do të ndërmarr të gjitha veprimet e menjëhershme ligjore kudo që vëren se janë përdorur armë apo mjete tjera të kundërligjshme.”, thuhet në njoftimin e policisë./21Media

Back to top button