Njëri nga institucionet më të atakuar në kohë pandemie ishte Policia e Kosovës. Nga ky institucion janë 12 policë që kanë humbur jetën dhe afër 1140 të infektuar me pandeminë Covid-19.

Në fillim të pandemisë tek policët është vërejtur mungesa e maskave dhe dezinfektuesve. Ndërsa, në kohën kur komunat hyn në karantinë, vërej mungesa e automjeteve dhe pjesëtarëve të policisë. Ishin disa komuna që ofruan automjete për policinë, ndërsa, për shkak të mungesës së policëve, pati raste kur person të caktuar arrinin të kalonin karantinën në komuna dhe në qendrën studentore.

Gjatë kësaj kohe janë arrestuar 1235 persona dhe janë hapur 1760 raste për ata që nuk kanë respektuar masat, dhe urdhëratë e policisë së Kosovës.

Nga Policia e Kosovës bëjnë të ditur se njëra ndër sfidat kryesore të Policisë së Kosovës, ishin vendimet e shpeshta dhe të shpejta të Qeverisë së Kosovës për masat anti covid, por edhe mungesa e sigurimeve shëndetësore.

Nënkryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli, ka thënë se sigurimi shëndetësor dhe pensioni invalidor është brengë për Policinë e Kosovës.

Tasholli ka thënë se edhe buxheti i Policisë së Kosovës është brengë për ta, pasi që këta nuk kanë edhe kushte të punës për t’i realizuar detyrat e tyre.

“Deri dje kanë qenë 1140 policë të infektuar, ndërsa kanë humbur jetën nga Covidi 12 policë.Nuk ka sigurime shëndetësore, dhe jena e vetmja polici në Evropë ose edhe në botë që nuk kemi sigurime shëndetësore. Është kjo brengë për Policinë e Kosovës e cila nuk është duke u realizuar. Kemi shpenzime të jashtëzakonshme, sëmundje të ndryshme, plus në këtë aspekt nuk e kemi edhe pensionin invalidor. Domethënë, tani detyrohet polici me sëmundje të ndryshme, në moshën 50 vjeçare, i sëmurë të punoj në polici sepse i ndalet rroga… nuk po flas për pensionin e hershëm që iu takon edhe FSK-së, që iu takon në moshën 55 vjeçare. Edhe kjo ka qenë në vazhdimësi dhe kurrë nuk është realizuar”, ka thënë Tasholli.

Ai ka thënë se Sindikata e Policisë së Kosovës është e pakënaqur me buxhetin për Policinë e Kosovës për vitin 2021, pasi që, siç thotë ai në polici ka antiplumb me afat të skaduar, mungesë të pajisjeve por edhe veshmbathjet nuk janë ne nivelin e duhur.

“10 milionë në vitin e ardhshëm është buxhet më pak… kemi antiplumin me afat të skaduar mbi 80 përqind, na mungon armatimi i gjatë, mungojnë veturat, mungojnë autoblindat, plus edhe veshmbathjen nuk e kemi në nivelin e duhur dhe tani të jenë 10 milionë më pak. Sindikata është e pakënaqur me këtë buxhet që ka paraparë qeveria për vitin 2021”, thotë Tasholli.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë se është kërkuar në vazhdimësi nga institucionet shtetërore që Policia e Kosovës të ketë sigurime shëndetësore, por edhe për çështje tjera që ndërlidhen në aspektin logjistikë, që janë pengesë për Policinë e Kosovës, mirëpo ende nuk është bërë asgjë.

“Ne në vazhdimësi si Polici e Kosovës kemi kërkuar tek institucionet shtetërore, në vazhdimësi për vite me radhë, që Policisë së Kosovës t’i sigurohet sigurimi shëndetësor dhe gjitha kërkesat tjera që kanë të bëjnë me këtë çështje. Këto janë pengesë për Policinë e Kosovës, por edhe çështjet tjera që ndërlidhen në aspektin logjistikë”, ka thënë Kelani.

Kelani ndalet edhe te ballafaqimi i Policisë me pandeminë, duke thënë se kapasur raste kur qytetarët nuk kanë mirëpritur masat anti-covid, madje edhe i kanë refuzuar.

Sipas tij, gjatë kohës së pandemisë, janë arrestuar 1234 persona të cilët nuk kanë respektuar masat-anticovid.

“Ka pasur raste të caktuara kur qytetarët nuk e kanë mirëprit ndonjë vendim apo… mos lejim të hyrjes në ndonjë lokacion të caktuar, mirëpo ne kemi pasur qëllim.. parandalimin e përhapjes së pandemisë dhe ruajtjen e shëndetit publik, ruajtjen e jetës së qytetarëve. Në ato raste kur kemi hasur keqkuptime nga ana e qytetarëve jemi munduar që t’i zgjidhim me metodat më të mira dhe më të lehta. Në ato raste kur janë refuzuar vendimet nga ana e qytetarëve, normal që Policia e Kosovës ka marrë masa komfor autorizimeve ligjore që ka…në ato raste kur nuk janë respektuar vendimet e institucioneve ka marrë masa sipas kodit penal, ku i ka hap afër 1760 raste, dhe mund të them se Policia e Kosovës i ka arrestuar 1235 persona”, ka thënë Kelani.

Ndërsa, anëtarja e Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Ganimete Musliu ka thënë se pavarësisht pyetjeve që kishin adresuar si komision për siguri ndaj ish-ministrit të mbrojtës se pse nuk kanë policët sigurime shëndetësore, shton se kishin marrë vetëm përgjigje negative.

“Kjo është temë që na preokupon shumë, fatkeqësisht nuk kemi bërë asgjë në këtë drejtim. Ne duke e ditur që ky është një ligj i cili ka kosto buxhetore, e kemi adresuar disa herë. Unë personalisht, e kam adresuar disa herë çështjen në ministrinë përkatëse, në këtë rast në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe i kam drejtuar edhe pyetje parlamentare ish ministrit, jo këtij aktual, sepse ky vit ka qenë i sterngarkuar, dhe në pamundësi që ta kryejmë punën tonë si duhet, por i kam bërë pyetje se kur do të ketë Policia e Kosovës sigurim shëndetësor, fatkeqësisht ka marrë përgjigje negative, dhe edhe sot kur po bisedojmë, Policia e Kosovës janë pasigurim shëndetësor”, ka thënë Musliu.

Musliu ka thënë se cila do qeveri që do të vjen në pushtet, çështjen e sigurimeve shëndetësore për Policinë e Kosovës, duhet ta ketë prioritet, sepse nëse Kosova ka policë me integritet, do të ketë edhe shtet me integritet.

Sipas saj, nëse institucionet e vendit nuk i trajton policët e Kosovës në mënyrë të duhur, është vështirë të pritet që ata ta kryejnë punën e tyre më nderë dhe përgjegjësi.

“Këtë temë, qeveri e ardhshme kushdo që vjen në pushtet, duhet ta ketë prioritet sepse është çështje e cila ndikon direkt në sigurinë e shtetit dhe jo vetëm në sigurinë e policëve ose në shëndetin e policëve, sepse nëse ne kemi policë me moral të lartë me integritet, atëherë ki edhe shtet me integritet dhe moral të fortë. Nëse ti nuk i trajton si duhet Policinë e Kosovës, të cilët në çdo rast duhet të jenë në vijën e parë të frontit në situata të ndryshme, atëherë është e vështirë të pritsh prej tyre që ta kryejnë punën e tyre me nderë dhe përgjegjësi të lartë.Një polic i cili nuk ka sigurim as shëndetësor dhe as jetësor, e ka problem me qenë aty, duke pasur parasysh që ai ka familje dhe pasojat që po i kanë policia pastaj pas aksioneve”, ka thënë Musliu.

Musliu ka shtuar se është e domosdoshme dhe sado që humbet kohë në këtë drejtim, dëmi ka me qenë shumë më i madh, duke pasur parasysh që Policia e Kosovës, pastaj nuk do ta kenë vullnetin dhe gatishmërinë që të jenë në vendin dhe kohën e ngjarjes, kur ata kërcënohen dhe sulmohen nga bandat e ndryshme./kp