Policia nis shqiptimin e gjobave, pas dështimit të marrëveshjes në Bruksel

Në Bruksel të hënën nuk u arrit asnjë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave.
Pas kësaj Kosova do të vazhdojë me fazën e dytë të vendimit të Qeverisë që është gjobitja e qytetarëve serbë që ngasin vetura me targa ilegale me nga 150 euro.
Policia e Kosovës për portalin rtv21.tv ka thënë se vendimi do të nis të zbatohet nga ndërrimi i paraditës.
“Ashtu siç është bërë e ditur sipas vendimit për targat Nr.05/103, deri me datë 21 nëntor ishte paraparë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) Nëntori, Policia e Kosovës e ka bërë të ditur se do të fillojë zbatimin e shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi, i cili sipas vlerësimit dhe planit policor pritet të fillojë po në këtë datë (22.11.22) gjatë ndërrimit të paradites”, ka thënë Policia e Kosovës.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës është e përkushtuar dhe e gatshme që të ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë Kosovës në koordinim të ngushtë me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë.
Sveçla tha se garantimi i sigurisë është mision e detyrë e tyre të cilën do e zbatojnë me përpikmëri e vendosmëri.
Ai theksoi se ligjshmëria, respektimi dhe zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Kosovës janë rruga e duhur dhe e vetme në mbrojtjen e frymës dhe vet institucioneve, sundimin e rendit e të ligjit dhe garantimin e sigurisë publike./21Media

Back to top button