Policia për RTV21 jep detaje për vdekjen e 20-vjeçarit në vendin e punës

(Lajm i përditësuar)


Një 20-vjeçar ka humbur jetën në vendin e punës në Partesh, pasi dyshohet se ka rënë në makinerinë e përzierjes së betonit.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani i ka thënë portalit rtv21.tv se viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore derisa ka qenë duke punuar në një fabrikë për prodhimin e tullave dekorative.

Viktima me urgjencë është transferuar në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ku edhe përkundër përpjekjeve të stafit mjekësorë, viktima ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku kujdestar.Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore relevante, prokurori i shtetit dhe inspektori i punës.

Hashani ka thënë se rrethanat se si ka ndodhur rasti po hetohen nga hetues të hetimeve rajonale Gjilan në koordinim me prokurorin e shtetit i cili rastin e ka cilësuar “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar në institutin e mjekësisë ligjore për obduksion.


Një person humb jetën në vendin e punës në Partesh

Një person ka humbur jetën në vendin e punës në Partesh, pasi dyshohet se ka rënë në makinerinë e përzierjes së betonit.

Policia e Kosovës përmes raportit ditor ka thënë se viktima është dërguar në Spitalin e Gjilanit ku si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë.

Rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 11:40.

“Raportohet se viktima mashkull kosovar derisa ishte në vendin e punës ka pësuar lëndime trupore, me ç’rast i njëjti është dërguar në Spitalin e Gjilanit ku si pasojë e lëndimeve të marra viktima ka ndërruar jetë”, thuhet në raportin e Policisë.

Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion./21Media

Back to top button