Politika reagon pas fitores së Distrias: Krenaria e vendit tonë

Krerët institucionalë e politikë në vendin tonë reaguan menjëherë pas triumfit të Distria Krasniqit në Lojërat Olimpike që i siguroi Kosovës medaljen e parë në këtë Olimpiadë dhe të dytën në histori të vendit.
Presidentja Vjosa Osmani tha se fitorja e Distrias është nder, krenari e lumturi e papërshkrueshme.
”Ajo e ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë. Me suksesin e saj olimpik ajo nderoi një komb të tërë, si dhe e gëzoi fort çdo zemër në Kosovë por edhe shumë të tjera anë e mbanë botës. Distria, e para e botës, dëshmoi sot sërish se është e pamposhtur dhe se është krenaria e vendit tonë. Ajo dëshmoi që talenti dhe puna triumfojnë gjithnjë. Sot, nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës. Sot dhe përherë, Kosova do të krenohet me ty. Bravo”, ka shkruar Osmani në facebook.

Gjithashtu edhe kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, uroi Distrian dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë ngjarje historike.
”Një ngjitje e jashtëzakonshme drejt së artës olimpike. E mbaj mend Distrian si një 15 vjeçare që me shumë pasion e punë synonte të bëhej më e mira në xhudo – jo vetëm për shkëlqimin e saj, por edhe të Kosovës. Dhe ajo sot e arriti këtë! Të lumtë Distria! Faleminderit për këto emocione, faleminderit për medaljen e dytë të artë olimpike për vendin tonë. Faleminderit mjeshtrit të papërsëritshëm Toni Kuka”, shkroi Krasniqi.

Ndërkaq edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përgëzoi Distrian dhe trajnerin Driton Kuka për një tjetër medalje olimpike që i sjellën Kosovës.
”Sportistët tanë, të rinjtë e të rejat tona, mbesin ambasadorët më të denjë të Republikës. Janë pasuria më e madhe e vendit tonë. Na mbajnë faqebardhë e na bëjnë zemrat mal me çdo paraqitje gjithandej nëpër botë. Janë inspirim i vërtetë për plot të tjerë që një ditë ëndërrojnë ta bëjnë krenar një komb të tërë. Distria e hapi rrugën e medaljeve në ‘Tokyo 2020’ sot. Le ta vazhdojnë Majlinda, Akili, Nora, Lorjana, Egzoni, Donjeta, Driloni, Musa, Eda e Olti! Gjithmonë, çdokund e çdoherë krenarë me ju!”, shkroi Abdixhiku.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se i jemi borxhli Distrias e Dritonit për secilin sukses dhe për secilin emocion.
”Flamuri i Republikës së Kosovës edhe njëherë u ngrit lartë nga Vajza e Artë. Faleminderit Distria! Faleminderit Driton Kuka! Ju jemi borxhli për secilin sukses, për secilin emocion”, shkroi Haradinaj në facebook./21Media

Back to top button