Pompeo kërkon heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe

“Sekretari Pompeo po ashtu, ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Gjykatën Speciale”

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë se pret që Kosova të heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të shfrytëzojë momentumin e e krijuar pas nënshkrimit të dokumenteve për krijimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe tokësore midis Prishtinës dhe Beogradit.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus ka deklaruar përmes një komunikate se sekretari Pompeo gjatë takimit në Uashington me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi ka ripohuar partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe mbështetjen për një Kosovë të pavarur dhe sovrane.

“Sekretari Pompeo po ashtu, ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Gjykatën Speciale, puna e të cilës është jetike për të sjellë drejtësi për viktimat dhe për të forcuar shtetin ligjor në Kosovë”, është bërë e ditur në komunikatën e zëdhënëses së Departamentit të Shtetit.

Tarifa ndaj mallrave sebe është vendosur në vitin 2018 nga qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Beogradi e ka pezulluar pjesëmarrjen në dialogun për normalizimin e raporteve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke kërkuar shfuqizimin e tarifës.

Pas takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, presidenti Thaçi ka shkruar në rrjetin social, Facebook se ka parë angazhimin dhe përkushtim maksimal nga ana e qeverisë amerikane dhe personalisht të sekretarit Pompeo në mbështetjen ndaj Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Washington, presidenti Thaçi ka zhvilluar takime edhe në Depatamentin e Mbrojtjes, ku është pritur nga nga nënsekretarin e Mbrojtjes së SHBA-së, David L. Norquist.

Sipas zyrës së shtypit të Pentagonit, nënsekretari Renquist ka përshëndetur Kosovën në vitin e saj të parë të një plani tranzitor 10 vjeçar për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Sigurisë.

Ndërkaq, presidenti Thaçi ka thënë se takimi me zyrtarët e lartë të Pentagonit ka qenë i frytshëm si dhe ka shprehur falënderim për mbështetjen e SHBA-së për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në rrugën e anëtarësimit të saj në NATO.

Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar angazhimet për arritjen e një marrëveshjeje të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Përkundër faktit që bisedimet ndërmjet dy vendeve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë ndërprerë në nëntor të vitit 2018, në fillim të këtij viti me ndërmjetësimin e të dërguarit presidencial të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorit Richard Grenell, të dyja vendet kanë nënshkruar marrëveshje për hapjen e linjës ajrore dhe asaj hekurudhore./REL

Back to top button