SHBA-ja po heq kufizimet në kontaktet midis zyrtarëve amerikanë dhe tajvanezë, tha sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo. Kufizimet u vendosën dekada më parë për të “qetësuar” qeverinë kineze, e cila ka pretendime për ishullin, tha departamenti i Shtetit i SHBA-së në një deklaratë.

Këto rregulla tani janë “të pavlefshme”, thuhet në deklaratë.

Masa ka të ngjarë të zemërojë Kinën dhe të rrisë tensionet midis Uashingtonit dhe Pekinit. Vendimi u mor derisa administrata e presidentit aktual të SHBA-së, Donald Trump hyn në ditët e saj të fundit, përpara inaugurimit të Joe Biden si president më 20 janar. Ekipi i tranzicionit i Bidenit ka thënë se presidenti i zgjedhur është i përkushtuar për të ruajtur politikën e mëparshme të SHBA-së ndaj Tajvanit.

Sipas BBC-së, analistët thonë se administrata e re do të jetë e pakënaqur me një vendim të tillë politik që po merret në ditët e fundit të administratës Trump, por që masa mund të anulohet lehtësisht nga pasardhësi i Pompeos, Antony Blinken.

Kina e konsideron Tajvanin si një provincë të shkëputur, por udhëheqësit e Tajvanit pretendojnë se vendi është një shtet sovran. Marrëdhëniet midis Kinës dhe Tajvanit janë të dobëta dhe ekziston një kërcënim i vazhdueshëm i ndonjë zhvillimi të dhunshëm./Rel