Portugalia konfirmoi zyrtarisht trajnerin e ri

Ish-trajneri i kombëtares belge – Roberto Martinez u emërua pasardhës i Fernando Santos në stolin e Portugalisë.
Pas disa ditësh spekulime, më në fund është konfirmuar – spanjolli Roberto Martinez do të marrë drejtimin e Portugalisë pas një mandati shumëvjeçar në stolin e kombëtares belge.
Martinez ka bërë të ditur para Botërorit se Botërori në Katar do të jetë gara e tij e fundit me ‘Djajtë e Kuq’ dhe se është gati për sfida të reja. Ndeshja e tij e fundit ishte barazimi me Kroacinë në raundin e tretë të fazës së grupeve.
Pas eliminimit të Portugalisë në çerekfinale të Kupës së Botës, trajneri Fernando Santos u shkarkua dhe prej javësh u spekulua për pasardhësin e tij. Në fund, zgjedhja ra mbi ekspertin 49-vjeçar, i cili përpara se të merrte Belgjikën, kishte një angazhim më të dukshëm në stolin e Evertonit.
“Unë e vlerësoj entuziazmin dhe ambicien me të cilën Martinez pranoi ftesën tonë. Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për kombëtaren tonë”, tha presidenti i federatës portugeze, Fernando Gomes.
Roberto Martinez nënshkroi një kontratë të vlefshme deri në korrik 2026.

Back to top button