Vala i ka borxh Postës rreth gjysmë milioni euro

Vala i ka borxh Postës rreth gjysmë milioni euro

Posta e Kosovës ndodhet në situatë shumë të vështirë financiare për shkak të borxheve të papaguara nga ndërmarrja publike,  Telekomi i Kosovës Sh.A dhe Qeveria e Kosovës.

Kështu bëhet e ditur në një komunikatë të Postës së Kosovës, ku thuhet se pavarësisht përpjekjeve për të gjetur zgjidhje, Posta nuk ka mundësi të paguajë pagat e mbi një mijë punëtorëve.

 “Me gjithë përpjekjet e menaxhmentit, Bordit të Drejtorëve dhe sindikatave të punëtorëve të Postës për të gjetur zgjidhje me Telekomin dhe Qeverinë që të paguhen borxhet, nuk është arritur asnjë rezultat konkret dhe si pasojë Posta nuk ka asnjë mundësi të paguaj pagat e mbi një mijë punëtorëve. Për më tepër, nëse nuk tejkalohet kjo gjendje, Posta së shpejti do të përballet edhe me paralizim total të funksionimit, përkatësisht pamundësisë së ofrimit të çfarëdo shërbimi.”, bëhet e ditur në komunikatë.

Po ashtu, bëhet e ditur se telekomi (Vala) i ka borxh Postës së Kosovës rreth gjysmë milioni euro për qiranë e objekteve dhe shërbimet që Posta i kryen për Telekomin.

“Për këtë gjendje, menaxhmenti dhe Bordi i Drejtorëve i kanë njoftuar zyrtarisht kryeministrin Ramush Haradinaj, ministrin e MZHE-së, Valdrin Lluka, ministrin e Financave, Bedri Hamza si dhe menaxhmentin dhe Bordin e Telekomit. Nga këto institucione kemi kërkuar angazhim urgjent për shlyerjen e borxheve ndaj Postës së Kosovës. Përndryshe, ka disa vite që menaxhmenti, Bordi dhe sindikatat e punëtorëve të Postës i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës si dhe komisioneve relevante parlamentare që të paguhet borxhi i Qeverisë ndaj Postës, prej mbi 5 milionë euro, për mbulimin e humbjeve në shërbimin universal postar, që është obligim ligjor i ekzekutivit.”, bëhet e ditur në komunikatë.

Më 22 janar, Qeveria e Kosovës i ka dhënë dritën e gjelbër privatizimit të Telekomit pas këtij vendimi. Megjithatë para dy ditësh Komisioni për Zhvillim Ekonomik dhe Infrastrukturë në mungesë kuorumi nuk e  ka dërguar në Kuvend vendimin e Qeverisë për Privatizimin e Telekomit të Kosovës.

Ndërsa, Bordi i Drejtorëve i Telekomit të Kosovës Sh.A, në mbledhjen e fundit, unanimisht ka vendosur që për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës të zgjidhet Bedri Istrefi.  21Media