Presidenca reagon pas vendimit të ZRrE-së: Komentet tona u morën parasysh pjesërisht
Zyra e Presidentes së Kosovës sot ka reaguar lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike.
Zyra e Presidentes në një përgjigje për rtv21.tv ka shprehur shqetësimin për faktin se vendimi final i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e energjisë elektrike për vitin tarifor 2022 ka marrë parasysh vetëm pjesërisht komentet e dërguara nga ZPRK-ja në Raportin Konsultativ të Zyrës së Rregullatorit për Energji mbi Shqyrtimin e Strukturës Tarifore për Konsumatorët e Rregulluar të Amvisërisë të Shërbyer nën FSHU.
Sipas Zyrës së Presidentes, edhe pse rritja e tavanit të bllok tarifës nga 600 kWh në 800 kWh paraqet progres ne krahasim me propozimin fillestar, pasi që do të lehtësojë pjesërisht barrën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për qytetarët, hezitimi për të rikthyer 3 bllok tarifa siç ka qenë praktika deri më vitin 2017, sipas Presidencës, është një vendim kundër shpërndarjes akoma më të drejtë e më të barabartë të barrës së gjithmbarshme të shtrenjtimit të rrymës.
“Për më tepër, një vendim i tillë do të kontribuonte drejtpërdrejt edhe në krijimin e incentivave shtesë për investim në masa të efiçiencës se energjisë, e që përfundimisht do të duhej të shndërrohej në objektiv kolektiv në vazhdën e zhvillimeve kombëtare e ndërkombëtare në sektorin e energjisë. Vendimmarrja inkluzive dhe vendosja e konsultimit publik në qendër të politikave rregullatore efektive duhet të jetë gjithnjë parimi i marrjes së vendimeve strategjike të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien qytetarëve. Ritheksojmë që për ZPRK, objektiv kryesor mbetet respektimi i parimit të përballueshmërisë, qasjes së barabartë, dhe furnizimit të rregullt me energji elektrike.”, është bërë e ditur në reagimin e Presidencës.
Kjo e fundit i ka bërë thirrje institucioneve relevante të prioritizojnë angazhimin strategjik në këtë drejtim.
“Përfundimisht, pavarësisht cilitdo skenar final të shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave, ZRRE-së i bëjmë thirrje që shqyrtimin e radhës të rregullt të tarifave ta bazoj duke u thirr në strukturën e deritashme tarifore dhe jo në rezultatet e rishikimit të jashtëzakonshëm tarifor.”, është bërë e ditur tutje në reagim.
Ndryshe, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike-KESCO sot ka dhënë shpjegime rreth tarifave të reja të miratuara nga bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji-ZRRE, për tarifat e reja të energjisë, që do të hyjnë në fuqi nga data 9 shkurt deri me 31 mars të vitit të ardhshëm.
KESCO ka bërë të ditur se për konsumin deri në 800 kWh nuk ka rritje. Pra, kjo vlen për të gjithë konsumatorët dhe të gjithë do të vazhdojnë të paguajnë njëjtë për 800 kWh e parë.
Bllok-tarifa që fillon nga shpenzimi mbi 800 kWh e tutje, sipas KESCO-s do të afektojë rreth 22% të konsumatorëve. Pra, për 78% të konsumatorëve nuk do të ketë fare rritje.
Ndërkohë, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar dje vendosjen e bllokut tarifor në 800 kW.