Presidenti i Francës po dëshmohet si “arrë e fortë”

Makron dominues edhe gjatë takimit me Putinin

Emanuel Makron jo vetëm që është presidenti më i ri në historinë e Francës, por edhe udhëheqësi i këtij vendi, i cili pati ndoshta dy takimet më të vështira në fillim të mandatit të tij. Pas shtrëngimit të duarve me Presidentin amerikan, Donald Trump, dje për vizitë në Paris Makronit i shkoi Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin.

Biseda me Putinin ishte e tillë, siç u paralajmërua: joformale, e hapur dhe mjaft e ashpër, vlerësuan agjencitë botërore të lajmeve, shkruan rtv21.tv

Atë që të gjithë e kanë vërejtur tashmë te Makroni, janë karakteristikat e pazakonshme për një fillestar në politikë. Ai gjatë takimeve po dëshmohet si tejet i qetë, i vendosur, e në disa raste po tregon edhe një dozë të arrogancës.

Ashtu siç doli para Trumpit, duke mos lejuar në asnjë moment që presidenti amerikan të duket do0minues para opinionit publik, ashtu bëri edhe gjatë takimit me Putinin. Makron nuk ngurroi që ti thotë Putinit në fytyrë gjërat që po e pengojnë. Kështu, presidenti francez kritikoi ashpër mediat ruse, duke theksuar se nuk janë sjellë si media, por si agjent të propagandës, duke përhapur dezinformata. Siç dihet, Makroni ka qenë kandidati që mediat ruse e kanë adhuruar më së paku gjatë fushatës presidenciale në Francë.

“Nuk do të lejoj gjëra të tilla”, tha Makron duke e shikuar Putinin në sy, ndërsa presidenti rus ndaj këtij konstatimi të ashpër reagoi me heshtje befasuese.

Edhe sa i përket situatës në Siri, Makron ja bëri të qartë Putinit se Franca nuk do të toleroi përdorimin e armëve kimike. Putin tha se nuk ka dëshmi për atë se kush i ka përdorur këto armë, por shtoi se pajtohet me konstatimin e Makronit se kjo nuk guxon të ndodhë.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp foli kryesisht Makron dhe paraqitja dominuese e Presidentit francez befasoi opinionin botëror dhe gjithsesi se ka ngritur rejtingun e tij si në radhët e aleatëve të Francës, por edhe të rivalëve të tij./21Media

Back to top button