Presidenti i Afganistanit sqaron pse u largua nga vendi

Presidenti afgan Ashraf Ghani është lajmëruar në rrjetet sociale pasi u largua nga vendi.
Ai në një postim në Facebook shkruan se duhej të merrte një vendim të vështirë dhe të largohej nga vendi për të parandaluar gjakderdhjen në një qytet prej gjashtë milionë banorësh.
Ghani më herët ishte thënë se u largua drejt Taxhikistanit, por informacionet e fundit të Al Jazzera thuhet se ai ndodhet në Tashkent, kryeqytetin e Uzbekistanit, së bashku me gruan, shefin e stafit të tij dhe këshilltarin për siguri nacionale.
Ambasada amerikane në Kabul njoftoi të dielën se situata në aeroportin në kryeqytetin afgan po ndryshon nga minuta në minutë dhe se raportet për të shtënat po mbërrijnë ndërsa evakuimi i të huajve vazhdon.
“Ne kemi raporte për të shtëna në aeroport, duke këshilluar qytetarët amerikanë të kërkojnë strehim,” tha ambasada.
Dy burime të informuara për situatën në aeroportin “Hamid Karzai” nuk mund t’i konfirmojnë ato pretendime.
Një zyrtar i NATO-s tha se të gjitha fluturimet komerciale ishin pezulluar dhe ulja dhe ngritja lejoheshin vetëm për avionët ushtarakë.
Anëtarët e NATO-s Franca, Gjermania dhe Holanda kanë njoftuar se po dërgojnë aeroplanë për të evakuuar diplomatët e tyre.
600 trupa britanike mbërritën gjithashtu në Kabul për të evakuuar britanikët, bashkëpunëtorët afganë dhe përkthyesit, konfirmoi qeveria në Londër.
Ndryshe, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet nesër në Nju Jork për të diskutuar mbi situatën në Afganistan.

Back to top button