Presidenti i Afrikës së Jugut rezulton pozitiv me Covid-19

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa ka rezultuar pozitiv me Covid-19 dhe aktualisht është duke marrë trajtimin e duhur mjekësor, kanë njoftuar nga zyra e tij.
69-vjeçari ka simptoma të lehta dhe është i izoluar në Cape Toën, është thënë tutje në njoftim.
Ramapahosa kishte filluar të ndihej keq të dielën pasi kishte marrë pjesë në funeralin e ish-presidentit, FW de Klerk.
Gjithashtu, sapo ishte kthyer nga një turne shtatëditor në Nigeri, Bregun e Fildishtë, Gana dhe Senegal.
Disa anëtarë të delegacionit të tij kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 në Nigeri dhe janë kthyer direkt në Afrikën e Jugut, raportojnë mediat e huaja.
Presidenca ka informuar se Ramaphosa, i cili ishte vaksinuar në shkurt dhe anëtarët e ekipit të tij, janë testuar për Covid në të gjitha vendet që kanë vizituar.
Presidenti citohet në deklaratë të ketë thënë se infeksioni i tij duhet të shërbejë si një paralajmërim për njerëzit që të respektojnë masat parandaluese të përhapjes së infeksionit, si dhe të vaksinohen.
Afrika e Jugut ka regjistruar një rritje të infeksioneve me koronavirus që nga 24 nëntori, kur shkencëtarët kanë paralajmëruar botën për variantin e ri Omricon./21Media

Back to top button