Prezantohet ekipi olimpik i Kosovës për Lojërat Olimpike Tokio 2020

 
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka bërë publike sot listën e sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Tokio 2020, të cilat fillojnë më datën 23 korrik dhe zhvillohen deri më datën 8 gusht.
Në dallim prej Lojërave Olimpike Rio 2016, ku Kosova përfaqësohej nga tetë sportistë, tani në Tokio 2020, do të kemi 11 sportistë, gjashtë prej tyre femra dhe pesë meshkuj.
Të pranishëm në këtë ceremoni të publikimit të emrave olimpikë ishte kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhiaj dhe njëra nga sportistet që do ta përfaqësojë Kosovën në Tokio 2020, boksierja Donjeta Sadiku.
Kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi tregoi emrat që përbëjnë listën e sportistëve olimpikë, duke shtuar që për dallim nga Lojërat Olimpike Rio 2016, Kosova do të ketë tre sportistë më shumë në Tokio 2020.
“Pra, sot po shpallim publikimin, listën e fundit të garuesve, të cilët do të marrin pjesë në Tokio 2020. Gjithsej kemi 11 sportistë të cilët vinë nga gjashtë sporte të ndryshme, nga xhudo, mundja atletike, not, boks dhe shenjëtari sportive. Prej 11 sportistëve, gjashtë prej tyre janë femra, ndërsa pesë meshkuj. Kjo do të thotë që ende në Kosovë po dominojnë vajzat dhe po na bëjnë krenarë dhe dua t’i falënderoj. Prej kësaj, liste me normë olimpike janë Majlinda Kelmendi (xhudo, kategoria -52 kg), Distria Krasniqi (xhudo, -48 kg), Nora Gjakova (xhudo, -57 kg), Loriana Kuka (xhudo, -78 kg) Akil Gjakova (xhudo, -73 kg). Të gjithë këta janë nga xhudo, kurse në mundje kemi Egzon Shalën në kategorinë -125 kg, stil i lirë. Kurse të ftuar nga komisioni tre palësh i kemi Donjeta Sadiku (boks, kategoria 57-60 kg), Drilon Ibrahimi (shenjëtari sportive, 10 metra pushkë ajrore). Të ftuar sipas vendeve të rezervuara, për shkak të universalitetit e kemi Eda Zeqiri (not, disiplina 400 metra stil i lirë), kemi Olt Kondirollin (not, disiplina 100 metra stil i lirë), edhe Musa Hajdari (atletikë, 800 metra vrapim). Pra, për dallim nga Lojërat Olimpike “Rio 2016”, ku ishim vetëm tetë sportistë, që edhe në atë kohë ishin mjaft, këtë herë ekipi olimpik është rritur për tre sportistë, siç e shihni gjithsej i kemi 11 sportistë”, tha presidenti Krasniqi.
Pas prezantimit të emrave, fjalën mori njëra nga sportistet përfaqësuese të Kosovës, boksierja Donjeta Sadiku, e cila e cilësoi ftesën në “Tokio 2020”, si ëndërr të bërë realitet, duke treguar edhe synimet e saja në këto Lojëra Olimpike.
“Pjesëmarrja në Lojërat Olimpike për të gjithë sportistët është një ëndërr, po ashtu edhe për mua gjatë gjithë karrierës sime ka qenë një ëndërr, dhe jam shumë krenare që e kam bërë realitet, e do të marrë pjesë në këto Lojëra Olimpike. Unë kam besuar gjithmonë që një ditë kam me ia arrit këto suksese, edhe puna e madhe dhe përkushtimi i madh, një ditë do të shpërblehet. Synimet e mija janë shumë të qarta në këto Lojëra Olimpike, për me marrë ndonjë medalje olimpike, dhe vazhdimi deri te e arta. Besoj që si kanë shkuar përgatitjet deri tash, ashtu siç i kam menduar. Shpresoj që të kem shëndetin së pari dhe t’ia arrijë edhe qëllimet e mija që i kam në këto Lojëra Olimpike”, tha Sadiku.
Për fund, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës Shasivar Haxhijaj (KOK) tregoi që të gjithë sportistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në “Tokio 2020”, kanë kryer procesin e vaksinimit, duke e marrë edhe dozën e dytë të vaksinës kundër Covid-19.
“Krahas këtyre përgatitjeve ne i kemi pas edhe disa obligime të tjera që kanë të bëjnë me vaksinimin e sportisteve për të gjithë ekipin olimpik që do të udhëtojë për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Tashmë, ka përfunduar edhe pjesa e fundit, pra doza e dytë është marrë nga gjithë ekipi olimpik dhe me këtë rast dua t’i falënderojë edhe institucionet shtetërore të Kosovës, të cilat iu janë përgjigjur kërkesës së Komitetit Olimpik që me kohë dhe mënyrën, ashtu siç kërkohet të vaksinohet i gjithë ekipi olimpik i Kosovës”, tha Haxhijaj.
Pas ceremonisë, Komiteti Olimpik i Kosovës informoi që nga sot, banka TEB do të jetë sponzori më i ri, duke i përkrahur në rrugëtimin e tyre drejt Lojërave Olimpike Tokio 2020.

Back to top button