Prizreni dhe Help-i në ndihmë të 30 bizneseve të udhëhequra nga gratë

 

 

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, sot së bashku me Shqipe Breznicën, nga organizata gjermane “Help” në Kosovë, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, përmes së cilës 30 biznese të udhëhequra nga gratë në Prizren që operojnë në fushën e Efiçencës së Energjisë, do të përfitojnë subvencione, me qëllim të përforcimit të biznesit të tyre.

Me këtë rast, Haskuka tha se në kuadër të projektit bizneset do të mbështeten për të filluar ose zhvilluar bizneset e tyre ku do të perfitojnë: Donacion për pajisje me vlerë mesatare prej 2 mijtë e 649 euro, organizimi i biznesit dhe trajnimet profesionale sipas nevojave të klientit, si dhe do të bëhet monitorimi i bizneseve të mbështetura.

Sipas Haskukës, përveç fuqizimit të grave, projekti do të ketë ndikime pozitive në zvogëlimin e kërkesës për energji/rrymë elektrike dhe shpenzime të ngjashme në sektorin banesor dhe pranimin dhe rritjen e konkurrencës së tregut të shërbimeve energjetike të Kosovës, duke e nxitur rritjen e vetëdijes së amvisërive – pronarëve të shtëpive private dhe banesave në ndërtesa me shumë banesa, ku do të zbatohen masat e efiçiencës energjetike (MEE) dhe ndërmarrjet afariste pronare të të cilave janë gratë.

Kurse Breznica tha se efektet e pritura pozitive të kësaj ndërhyrjeje në vend janë: Kursimi i energjisë si përfitim, krijimi i Shoqatës së Pronarëve të Shtëpive (SHPSH), të cilët në mënyrë aktive kërkojnë instalime për sigurimin e efiçiencës energjetike (EE), prania e shtuar e ofruesve të shërbimeve me kualifikim të duhur dhe kompanitë vendore të inxhinierisë (që e respektojnë barazinë gjinore) bashkë me praninë e prodhimeve teknologjike EE.

“Efekte të tjera pozitive mund të priten nga interesimi i shtuar dhe përfshirja e bankave vendore në ofrimin e ndihmës shumë të nevojshme financiare për sektorin në fjalë në kushte konkurruese”, tha ajo.

Brezinca, po ashtu deklaroi se në projekt do t’u kushtohet vëmendje e shtuar ndjeshmërisë së grupeve të cenueshme dhe barazisë gjinore duke kontribuar kështu në zvogëlimin e varfërisë energjetike në Kosovë./21Media

Back to top button