Problemet ekonomike, temat kryesore mes dy qeverive shqiptare

Minxhozi tha se  se në të shumtën e rasteve takimet nuk janë parë si produktive por po mundohet t’i thyejnë barrierat që janë mes dy vendeve

Takimi i dy qeverive Kosovë-Shqipëri që do të mbahet më 24 prill në Vlorë, fokus të veçantë do të ketë shkëmbimin tregtarë midis dy vendeve. Nuk do të ketë gamë të gjerë të çështjeve siç ka ndodhur në të kaluarën por do të trajtohen problemet që bizneset e dy shteteve kanë gjatë shkëmbimit tregtarë. Po ashtu, nuk do të diskutohet tregu i përbashkët ballkanik.

Këtë e ka bërë të ditur në një intervistë për KosovaPress,  ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

“Është rënë dakord që Qeveria e Shqipërisë dhe Qeveria e Kosovës ta kenë takimin e përbashkët të radhës në Shqipëri. Është caktuar data 24 prill dhe ka një risi tjetër krahasuar me mbledhjet e kaluara sepse nuk do të ketë një gamë të gjerë problemesh që do të trajtohen. Ato do të fokusohen në pesë-gjashtë pika, ku më të rëndësishmet do të jenë ato të fushës së shkëmbimeve tregtare ekonomike, të lejes së punës, lejes së qëndrimit në të dy anët e kufirit“, tha Minxhozi.

Ai është pajtuar se në të shumtën e rasteve takimet nuk janë parë si produktive por po mundohet t’i thyejnë barrierat që janë mes dy vendeve.

Sa i përket barrierave që kanë bizneset kosovare gjatë eksportit të mallrave në Shqipëri dhe anasjelltas dhe çka mund të presin nga ky takim, Minxhozi nuk pret që të zhduken të gjitha problemet por që të minimizohen.

“Do të ketë më pak, nuk them se problemet do të zhduken por do të minimizohen dhe pikërisht për këtë janë organizuar disa takime të ndryshme të odave ekonomike të Shqipërisë dhe Kosovës me grupe biznesi të cilat kanë dhënë mendime se si mund të zgjidhen këto çështje. Ajo që mungon sot nuk është fryma, fryma ekziston, por zbatimi, implementimi i kësaj fryme lënë për të dëshiruar. Prandaj ne po shikojmë për të hyrë sa më në detaje për të zgjidhë këto probleme një pjesë e të cilave nga ngelur në hije”, tha Minxhozi.

Bashkimi tregtarë sipas tij nuk do të diskutohet në këtë takim.

 

Më 24 prill mbahet mbledhja e dy qeverive shqiptare. Të pranishëm në këtë takim do të jenë gjithë kabineti qeveritarë i të dyja qeverive./21Media

Back to top button