Produkte pa afat në tregun kosovar, për një vit kaq ankesa nga konsumatorët

Shitja e produkteve me afat të skaduar apo edhe me cilësi të dyshimtë, vazhdon të jetë pjesë e tregtisë në Kosovë.
Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorëve në vazhdimësi po pranon ankesa nga ana e konsumatorëve. Kështu kanë thënë zyrtarë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për portalin rtv21.tv.
Vetëm gjatë vitit 2021, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit ka pranuar 54 ankesa për për shitje të produkteve me afat të skaduar, ndërsa sivjet në ditët e para të janarit janë raportuar 2 raste.
“Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit ne vazhdimësi pranon ankesa nga ana e konsumatorëve. Ankesat e pranuara për produkte me afat të skaduar për vitin 2021 kanë qenë gjithsej 54. Ndërsa në këtë fillim viti, deri tani kemi të regjistruara 2 ankesa të kësaj natyre”, ka thënë MINT për rtv21.tv.
Ndërsa, ankesat më të shpeshta të konsumatorëve sipas Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit janë mospërputhja e çmimeve nga rafti në arkë.
Gjatë vitit të kaluar 251 konsumatorë u ankuan për mospërputhjen e çmimeve nga rafti në arkë. 140 ankesa për mospërfillje të garancionit, 81 ankesa u drejtuan në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit për shërbime jocilësore, 71 mashtrime të konsumatorit dhe 64 ankesa për reklama mashtruese.
Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në një përgjigje për portalin rtv21.tv ka thënë se Inspektoratet kompetente Shtetërore verifikojnë se a ka pasur shkelje nga bizneset mbi të drejtat e konsumatorit duke u referuar te Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit, Ligjeve përkatëse që rregullojnë fusha të ndryshme të cilësisë së produkteve apo shërbimeve dhe/apo Ligjeve për inspektime.
Ky ligj përcakton, rregullon dhe mbron të drejtat themelore të konsumatorëve gjatë blerjes së mallrave. Ligji siguron mbrojtjen e shëndetit, mjedisit, dhe interesave ekonomike të konsumatorit.
Gjobat për personin jurdik tregtar që nuk respekton këtë Ligj janë nga 1000 euro deri 10.000 euro, varësisht nga shkeljet që bën./21Media

Back to top button