I dyshuari thotë se së pari gjuajti vëllain e viktimës e më pas vrau 21-vjeçaren

(Lajm i përditësuar)


I dyshuari për vrasjen e ish-gruas në Ferizaj të premten, V.A., ka thënë se pas një konflikti e qëlloi fillimisht vëllain e ish-gruas, pastaj 21-vjeçaren dy herë, e më pas i kishte drejtuar armën vetes në kokë por që sipas tij kishte qenë e zbrazur.

Këtë deklarim i dyshuari e bëri të shtunën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku u mbajt seanca dëgjimore për caktimin e paraburgimit.

“Revolen e kam pas me vete në kuk, fillimisht nëse nuk gaboj e kam rrok vllaun e saj, e më pas ish-bashkëshorten, nuk e di por nja dy herë kam shtënë në drejtim të saj, tani ja kam drejtu vetit armën në kokë por s’kish pasë plumba e pastaj kam ik te shtëpia”, deklaroi i dyshuari V.A.

Prokuroria Themelore në Ferizaj më 13 prill 2024, ka dorëzuar në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaj ndaj të dyshuarit për “vrasje të rëndë”, V.A. Ai po ashtu akuzohet për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

E.C., 21 vjeç, u vra dje nga ish-bashkëshorti 36-vjeçar në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. I plagosur mbeti vëllai i viktimës 15 vjeç. Dyshohet se çifti kishin mosmarrëveshje për kujdestarinë e fëmijës.


Prokurori, avokati dhe i pandehuri tregojnë çfarë kishte ndodhur në ditën e krimit

Në Gjykatën Themelore të Ferizajt po mbahet seanca për caktimin e sigurisë ndaj V.A, i dyshuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij dhe plagosjen e vëllait të saj, dje në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Prokurori, Valdet Avdiu ka thënë se dorasi dhe viktima fillimisht ishin fjalosur.

“Në një moment, ka pasur një fjalosje mes tyre dhe aty i pandehuri e ka nxjerrë armën dhe ka shtënë në drejtim të të ndjerës dhe vëllait të saj”, prokurori Valdet Avdiu.

Ndërsa, avokati i të pandehurit Ramadan Sylejmani në gjykatë tha se viktima dhe V.A kishin probleme të vazhdueshme.

“Ka qe 10 muaj e më tepër që janë ndarë, kanë pasur probleme të vazhdueshme sidomos në rastet kur i mbrojturi im ka kërkuar që ta shoh djalin“, tha Sylejmani.

Ndërsa i apndehuri tregojë se pas rastit kishte dashur ta vras edhe vetën por nuk kishte më plumba.

“Bile, bile në fund e kam drejtuar armën nga vetja, por kur e kam tërheqë këmbëzën nuk kishte pasur plumb” , tha i pandehuri./21Media


I dyshuari për vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e vëllait të saj, dërgohet në gjykatë

V.A i dyshuari për vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e 15-vjeçarit te objekti i Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, është sjellë në Gjykatën e Ferizajt për caktimin e masës së sigurisë.

Prokuroria tashmë ka kërkuar masën e paraburgimit për 30 ditë për të dyshuarin.

Back to top button