Prokurori i Shtetit ka hapur lëndë për 7 persona për dallavere në votim

Janë hapur 5 lëndë, kundër 7 personave

Për zgjedhjet e parakohshme nacionale që po mbahen sot në Kosovë, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës.

Siç njofton ky institucion, gjatë ditës së sotme, deri në orën 15:00, në gjithë territorin e Kosovës janë disa raste të iniciuara që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit. Deri më tani janë pranuar disa informata, prej të cilave janë hapur 5 lëndë, kundër 7 personave.

“Në Prishtinë kemi 1 rast kundër 1 personi, për të cilin është bërë kërkesë për paraburgim për veprën penale Keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve, nga neni 214 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës; Në Pejë kemi 1 rast kundër 1 personit, i cili është në ndalim, për veprën penale, Keqpërdorim të detyrës gjatë zgjedhjeve, nga neni 214 i KPRK; Në Gjilan kemi 1 rast kundër 1 personi i cili gjendet në ndalim, për veprën penale, Deklarim i rrejshëm, nga neni 391 i KPRK-së, ndërlidhur me veprat kundër së drejtës së votimit; Në Prizren kemi 1 rast kundër 3 personave, të cilët janë duke u intervistuar për veprën penale, Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve, nga neni 211 i KPRK-së; Në Ferizaj kemi 1 rast kundër 1 personi, i cili është në ndalim, për veprën penale Keqpërdorim të detyrës gjatë zgjedhjeve, nga neni 214 i KPRK”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Ky institucion njofton se rreth 100 prokurorët e Shtetit, të cilët po kujdestarojnë sot, po veprojnë me urgjencë në secilin rast që po paraqitet me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve të mundshme gjatë këtij procesi zgjedhor.

Prokurori i Shtetit i fton qytetarët, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë./21Media

Back to top button