Prokuroria: Ministri Sveçla shfaqi mosnjohuri elementare profesionale

Prokuroria Themelore në Ferizaj, reagoi ndaj deklaratave të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për Dardan Krivaqën, të dyshuarin kryesor për vrasjen e 18 vjeçares.
Sveçla në marshin protestues sot deklaroi se “Ministria i ka duart me gjak’ është çështje për të cilën unë nuk mund të pajtohem. Mos të harrojmë se policia me një angazhim të jashtëzakonshëm ka bërë arrestimin e këtij krimineli kaq të rrezikshëm. Ai është arrestuar 135 herë më herët, do të thotë Policia e Kosovës në raport me këtë kriminel është sjellë ashtu siç është kërkuar, se si janë proceduar lëndët, është çështje e hetimit, por sipas indicieve të para, janë dy hallka të tjera të cilat kanë qenë të papërgjegjshme, ajo është Prokuroria dhe gjykatat”.
Prokuroria thotë se këto deklarata janë të paqëndrueshme, shfaqin mosnjohuri elementare profesionale, janë krejtësisht tendencioze dhe kanë për qëllim dezinformimin dhe manipulimin e opinionit për përfitime politike.
“Për dijeninë e Ministrit të Punëve të Brendshme, Prokuroria është organ kushtetues ndjekës dhe kompetencat e ndara duhet t’i dallojë dhe aq më shumë edhe t’i kuptojë. Po ashtu ia bëjmë me dije se Prokuroria Themelore në Ferizaj çdo herë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj të pandehurit D.K dhe se në të gjitha rastet ndaj tij ka ngritur aktakuza dhe të njëjtat i ka proceduar në Gjykatën Themelore në Ferizaj”, thuhet në reagimi.
Prokuroria ju bëri thirrje bartësve të institucioneve ekzekutive që të përmbahen nga çfarëdolloj deklarimi i pamatur, i pakonfirmuar dhe tendencioz, sepse kjo qasje nuk iu shërben as atyre dhe as të vërtetës faktike. ​
Poashtu sot Gjykata Themelore në Ferizaj, njoftoi se ndaj të pandehuri Dardan Krivaqa, sipas regjistrit elektronik të lëndëve ka të evidentuara gjithsej dhjetë lëndë, prej tyre 9 të përfunduara, ndërsa vetëm 1 është e papërfunduar, jo 136 sa u raportua./21Media

Back to top button