Prokuroria Speciale reagon ndaj deklaratës së Konjufcës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca mbrëmë tha se ka informata të sakta që njeriu kryesor i drejtësisë në Kosovë e ka dosjen e plotë të personave të krimit në veri të vendit, që nga shtatori i vitit të kaluar.
Konjufca gjatë një interviste televizive tha se pavarësisht kësaj, ai ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.
I pyetur se për kë e ka fjalën, Konjufca tha “ai që po don me qenë në krye të drejtësisë”, pa përmendur emër.
“Që 15 muaj e ka në tavolinë dosjen voluminoze me krejt emrat, me krejt fotografitë, me krejt incizimet e personave të cilët janë kryesorët që e bëjnë organizimin e krimit në pjesën e veriut të Kosovës”, tha Konjufca.
E ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK).
“Dëshirojmë të theksojmë fuqishëm, se PSRK është tërësisht e angazhuar për të siguruar që të gjitha rastet penale në kompetencë ligjore të prokurorisë, të trajtohen në mënyrë profesionale dhe me efikasitetin më të lartë dhe i fton të gjitha institucionet që të përmbahen nga deklarimet rreth rasteve penale, veçanërisht ato që janë në fazën e hetimeve, sepse deklarime të tilla përveç se dëmtojnë imazhin e prokurorisë në sytë e publikut, por jo vetëm, mund të krijojnë pasiguri për qytetarët dhe inkurajim për të gjithë personat e përfshirë në aktivitete të kundërligjshme kriminale”, thuhet ndër të tjera në reagimin e PSRK-së.
PSRK ka theksuar se si autoritetet kompetent për hetimin e veprave penale, në grupin e të cilave bëjnë pjesë edhe vepra penale të cilat janë kryer në pjesën veriore të Kosovës, siguron opinionin publik se për këto raste prokurorët kompetentë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi, duke ua dhënë autorizimet e nevojshme policisë që të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore, përfshirë edhe arrestimet sipas urdhër arresteve të lëshuara për të gjithë personat që janë si të dyshuar në këtë dosje hetimore.
“Siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi, prokuroria i udhëheq hetimet dhe mbikëqyrë punën e policisë gjatë hetimit, ndërsa veprimet tjera në bazë të urdhrave dhe autorizimeve të prokurorisë ndërmerren nga organet hetimore të policisë”, thuhet më tej në këtë reagim.
Më tej, PSRK-ja ka thënë se për punën e saj “nuk bën deklarata publike për veprimet hetimore që ndërmerr për rastet që ka në hetime, e këtë nuk e ka bërë as kur vet Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës personalisht ka dalë në vendin e ngjarjes kur janë sulmuar policia e Kosovës në veri, sepse konsideron se sundimi i rendit dhe ligjit në secilin cep të vendit, është qëllimi i punës së prokurorisë, e jo publikimi i veprimeve hetimore të asnjë rasti hetimor”.
Megjithatë, PSRK-ja njofton se ka trajtuar shumë raste penale që kanë ndodhur në veri të Kosovës, “disa prej të cilave kanë rezultuar me arrestime, aktakuza, dhe shumë prej tyre janë ende në shqyrtime gjyqësore, e disa prej këtyre rasteve janë të shënjestruara nga Ekipi i Përbashkët për Përzgjedhjen dhe Shenjëstrimin e Krimeve te Rënda të cilin e udhëheq Kryeprokurori i PSRK-së”.

Back to top button