Prokurorja Hajdari: Ende s’ka statistika reale për numrin e personave të dhunuar gjatë luftës

Prokurorja Drita Hajdari po merr pjesë në në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku ka folur në lidhje me dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Hajdari tha se ende nuk ekzistojnë statistikat reale për numrin e personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, ajo shton se zbulimi, regjistrimi dhe hetimi i këtyre krimeve është një sfidë e madhe.
“Krimet e luftës, në mesin e të cilave, dhuna seksuale gjatë luftës është një barrë e cila e ngarkon shoqërinë tonë. Është një çështje që pas luftës është fol me një dozë turpi, me një dozë përshpërimi dhe çka ka ndodh në Kosovë. Mirëpo fal shoqërisë civile dhe institucioneve tona të cilat filluan t’i trajtojnë këto raste, dhuna seksuale gjatë luftës doli nga errësira, mirëpo ende nuk ekzistojnë statistikat reale për numrin e personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë dhe akoma para prokurorisë speciale është një sfidë e madhe për zbulimin, regjistrimin dhe hetimin e këtyre krimeve”, u shpreh ajo.
Ajo tha se janë rreth rreth 900 lëndë dhe rreth 2 mijë dosje për të zhdukurit.
“Ajo që e vështirësoi punën tonë, që mori shumë kohë ishte fakti që pas luftës, neve prokurorëve vendor nuk ka është lejuar që t’i ndjekim këto vepra penale, kjo punë i është besuar fillimisht UNMIK-ut, pastaj EULEX-it. Kanë bërë shumë pak, fatkeqësisht shumë pak dhe përkundër mundësive të cilat i kishin si dy misione të fuqishme për sundimin e ligjit, në këtë fushë kanë mbetur një numër i madh i lëndëve të mbetura pas përfundimit të misionit të EULEX-it, të cilat janë diku rreth 900 lëndë dhe rreth 2 mijë dosje për të zhdukurit”, tha ajo./21Media

Back to top button