Pronarët e sallave të dasmave: Ose të hapen të gjithë ose të mbyllen të gjithë

 

Pronarët e sallave të dasmave të shqetësuar që gastronomia është lejuar të hapet, ndërsa sallat e dasmave vazhdojnë të jenë të mbyllura tash e 500 ditë.

Oda e Hotelerisë dhe Turizimit në takimin e mbajtur sot me disa pronarë të sallave të dasmave nga të gjitha komunat lidhur me masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid19, ka kërkuar nga Qeveria përkatësisht nga Ministria e Shëndetësisë që të hapet edhe ky sektor.

Mesazhi i tyre ishte: “Ose të hapen të gjithë nga dita e hënë, ose të mbyllen të gjithë”

Kryetari i kësaj Ode, Hysen Sogojeva theksoi se pas kësaj mbyllje që është kundërshtuar vazhdimisht, por tash tha se janë të këmbëngulur për hapje.

“Kemi qenë dhe jemi në diskutim me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia për të hartuar një udhëzues për veprimtarinë e sallave në këtë kohë. Ajo që futet në manual edhe duhet të respektohet nga pronarët e sallave. Ende nuk është kryer procesi i hapjes së sallave. Nëse është e lejuar në 10 metra katror katër klientë për gastronomët, pse mos të lejohet që edhe për sallat, që i bie rreth 170 më së shumti 200 veta për dasmorë. Megjithëse ende nuk ka vendim zyrtar as për gastronom as për salla të dasmave”, tha ai.

Sogojeva theksoi se sot janë takuar edhe me grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës, të cilët sipas tij kanë qenë pro hapjes së sallave, por gjithnjë duke i respektuar masat.

Afrim Muqiqi këngëtar tha se nga dita e hënë kur pritet të hapet gastronomia, duhet të lejohen edhe puna e sallave të dasmave.

“Ose po hapim të hënën të gjithë ose po mbyllemi të gjithë, nuk ka më tolerime. Jemi të gjithë për hapje duke i respektuar masat nga shteti. Nuk do të lejojmë që të lejohen të tjerët, e ne të mbyllemi. Po hyjmë në ditën e 500 dhe sallat janë të mbyllura, pra ose kanë me punuar të gjithë, ose as gastronomët. Megjithatë, ne do të ruajmë edhe shëndetin e të gjithëve. theksoi ai.

Edhe Shkelzen Jetishi pronar i një salle në Gjakovë tha se nuk duhet të vendosen standarde të dyfishta nga Qeveria.

“Me mbylljen e gastronomisë dhe sallave është dashur të mbyllen edhe kufijtë shtetëror, pasi mund të kemi rreth katër mijë të infektuar vetëm nga vikendi i kaluar në Shqipëri, nga frekuentimi që është bëtë nga qytetarët kosovarë atje”, tha Jetishi.

Në këtë takim me numër të madh të pranishëm, u panë edhe shumë pronarë të sallave të dasmave të cilët sot nuk respektuan masat antiCovid-19, që nuk kishin vendosur maskat.

Back to top button