Protesta kundër “propozimit francez”, gurët, vezët e fishekzjarret nuk munguan

Nën moton “Ultimatum – Jo faleminderit” para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, për të tretën ditë radhazi vazhdoi protesta kundër pranimit të “propozimit francez” për heqjen e vetos bullgare dhe fillimin e negociatave për anëtarësim. Disa nga protestuesit janë përplasur me policinë, e cila ka ngritur kordonin para ndërtesës së Qeverisë, pasi kanë thyer gardhin mbrojtës dhe kanë nisur të gjuajnë me gurë dhe fishekzjarre drejt policisë.
Paraprakisht, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i ka thirrur qytetarët që masivikisht të dalin në protestë, sepse sipas informacioneve të opozitës, Qeveria synon që nesër ta pranojë propozimin e presidencës franceze.
Para ndërtesës së Kuvendit republikan sonte është mbajtur protestë, e cila ka pasuar pas aktiviteteve protestuese që janë zhvilluar para Qeverisë, përmes të cilave është kërkuar të hidhet poshtë “propozimi francez”.
Është rrëzuar gardhi mbrojtës, ndërsa hyrja kryesore e Kuvendit është siguruar nga kordoni i policisë. Protestuesit kanë hedhur vezë dhe shishe drejt ndërtesës së Kuvendit.
Protesta zyrtarisht nuk ka organizator, por mbështetet nga partitë politike dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilët mendojnë se propozimi është jashtëzakonisht i keq për popullin maqedonas dhe interesat kombëtare maqedonase./TV21

Back to top button