Protestuesit i vërsulen Ambasadës suedeze pas djegies së Kuranit

Dhjetëra njerëz i janë vërsulur ndërtesës së Ambasadës suedeze në kryeqytetin irakian, Bagdad, pasi një Kuran u dogj gjatë një proteste në Suedi.

Disa vende me shumicë myslimane kanë dënuar djegien e një kopje të Kuranit.

Salwan Momika, që thuhet se ishte një irakian që jetonte në Suedi, i vuri zjarrin një kopje të librit mysliman përpara xhamisë qendrore të Stokholmit të mërkurën.

Vendet e Lindjes së Mesme, përfshirë Irakun, Iranin, Arabinë Saudite dhe Egjiptin e kritikuan ashpër djegien.

Turqia e cila u zemërua gjithashtu nga një protestë për djegien e Kuranit në fillim të këtij viti tha se ishte “e papranueshme” të lejoheshin “veprime të tilla anti-islamike” të ndodhnin “nën pretekstin e lirisë së shprehjes”.

Myslimanët e konsiderojnë Kuranin fjalën e shenjtë të Zotit dhe e shohin çdo dëmtim të qëllimshëm apo shfaqje të mosrespektimit ndaj tij si thellësisht ofenduese.

Djegia e Kuranit të mërkurën ndodhi teksa myslimanët në mbarë botën festuan ditën e parë të Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin mysliman.

Policia suedeze i kishte dhënë Momika një leje për protestën, në përputhje me ligjet e fjalës së lirë. Por më vonë policia tha se incidenti ishte duke u hetuar për nxitje urrejtjeje.

Protesta shkaktoi zemërim edhe në mesin e kombeve të tjera.

Maroku dhe Jordania kanë tërhequr ambasadorët e tyre në Stokholm dhe Maroku ka thirrur gjithashtu të ngarkuarin me punë të Suedisë në Rabat.

Iraku tha se incidenti ishte “një reflektim i një shpirti agresiv të urryer që nuk ka të bëjë fare me lirinë e shprehjes”.

Irani i bëri jehonë kritikave të Irakut, duke e quajtur aktin e djegies së Kuranit “provokues” dhe “të papranueshëm”, ndërsa Egjipti e përshkroi atë si një akt “të turpshëm” që ishte veçanërisht provokues teksa myslimanët festojnë Kurban Bajramin.

Arabia Saudite destinacioni i rreth 1.8 milionë besimtarëve në pelegrinazhin vjetor të Haxhit këtë javë tha se “këto akte të urryera dhe të përsëritura nuk mund të pranohen me asnjë justifikim”.

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson tha se djegia e Kuranit ishte “e ligjshme, por jo e përshtatshme”.

Planet për të djegur kopje të Kuranit kanë shkaktuar trazira në Suedi muajt e fundit.

Policia kishte refuzuar aplikime të ngjashme për protesta kohët e fundit, por gjykatat vendosën më pas se ato duhet të lejohen për arsye të lirisë së shprehjes./21Media

Back to top button