​PSD pyet kryeministrin Kurti: Kur do të përjashtohet ministrja Nagavci

“990 ditë mungesa pa arsye” është mbishkrimi i Partisë Socialdemokrate në objektin e Ministrisë së Arsimit. Përmes këtij aksioni simbolik u kritikua ministrja Arbërie Nagavci, ku u tha se përgjatë tërë këtyre ditëve ka mungesa të paarsyeshme dhe nuk është përjashtuar nga shefi i saj, Albin Kurti.

Donjeta Demolli nga Partia Socialdemokrate, teksa komentoi rezultatet e testit PISA, tha se pushteti aktual gjatë mandatit të saj nuk ka asnjë lajm të mirë në fushën e arsimit.

Ajo tha se Qeveria Kurti po tenton ta shtypë sindikalizimin dhe të disiplinojë mësimdhënësit kur ata kërkojnë paga më të larta.

Pas aktivitetit të PSD-së, Demolli tha para mediave se ministrja Nagavci e ka mbrojtjen e kryeministrit Kurti.

Demolli shtoi se pushteti aktual nuk po realizon as premtimet që i kishte dhënë dikur.

“Ky dështim e afekton edhe fëmijën, e afekton edhe pavarësimin e gruas edhe papunësinë edhe ekonominë e vendit, mirëpo e kemi një ministre e cila nuk punon tash e 990 ditë. Gjendja me testet shkollore është gjendje që e shfaq që kjo ministre është e pa interesuar dhe është e paaftë të bëjë çfarëdo veprimi i cili do të zhvillonte arsimi në Kosovë”, përfundoi ajo.

Back to top button