Pse burgjeve nuk u dorëzohet raporti i autopisë për të burgosurit që vdesin

Departamenti Shëndetësor i Burgjeve të Kosovës është ankuar se Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), nuk po ua dorëzon raportet finale të autopsisë së personave që vdesin në burgje.
Në “Raportin vjetor të punës së Departamentit Shëndetësor të Burgjeve për vitin 2021” të siguruar nga portali rtv21.tv, thuhet është kërkuar nga IML që t’iu dorëzohen raportet e autopsisë, por të njëjtit nuk kanë pranuar me “pretekst të konfidencës”.
“DShB asnjëherë nuk merr raporte finale të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në funksion të evitimit të mangësive eventuale gjatë trajtimit për të zvogëluar vdekshmërinë e tyre, për të ndërmarrë masat adekuate dhe mos përsëritjes eventuale të gabimeve. Ne kemi kërkuar nga IML dhe jemi përpjekë që këtë ta zyrtarizojmë në dokumente punë por ende nuk është arritur pajtueshmëria me pretekst të konfidencës, në këtë rast ligjore”, thuhet në raportin e DShB-së.
Në anën tjetër, zv-drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), Naim Uka i ka thënë portalit rv21.tv se ata i përgjigjen Institucionit që urdhëron kryerjen e autopsisë.
“Instituti për Mjekësi Ligjore edhe në rastet e autopsive për vdekjet në burgjet e Kosovës kryen procedurat standarde bazuar në urdhëresën që lëshohet nga zyra e Prokurorit të Shtetit. Instituti për Mjekësi Ligjore respektivisht mjeku ligjor kujdestar i përgjigjet përmes raportit të autopsisë, Institucionit që urdhëron kryerjen e autopsisë (prokurorit të shtetit). Departamenti Shëndetësor i Burgjeve duhet drejtuar me kërkesë për raportin e autopsisë Prokurorit të Shtetit”, ka thënë Uka për rtv21.tv.
Rtv21.tv i ka dërguar pyetje edhe Prokurorisë së Shtetit, mirëpo e njëjta ende nuk është përgjigjur.
Vdekjet dhe vetëvrasjeve në burgje që nga viti 1999 ka një trend të rritjes lineare. Numri i vdekjeve mesatarisht sillet 3 deri në 4 vdekje në vit ndërsa vetëvrasjet rreth 1 deri në 2 në vit.
Vetëm në vitin e kaluar 9 persona kanë vdekur në burgjet e Kosovës. Që nga viti 1999 në burgje të Kosovës kanë vdekur 88 persona, prej tyre 22 me vetëvrasje. /21Media

Back to top button