Psikologët: Politikbërësit të ndërgjegjësohen për rëndësinë e shëndetit mendor

Shoqata e Psikologëve të Kosovës në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor po mban kongresin ndërkombëtar ”Shëndeti mendor, sfidat dhe e ardhmja”, ku u kërkua që politikbërësit të ndërgjegjësohen për rëndësinë e shëndetit mendor.
Psikologu klinik, Ilir Havolli, tha se shëndeti mendor është faktori kryesor i mirëqenies së qytetarëve, teksa bëri të ditur se në fund të këtij takimi do të dalin me konkluzine për institucionet se si të tejkalohen sfidat e shëndetit mendor.
“Ne duhet vazhdimisht të edukojmë njerëzit në frymën psiko-sociale. Këtu duhet të vendosim fokusin. Duke hartuar politika sociale që mund të shmangim rritjen e numrit të vetëvrasjeve e të dhunës në familje. Politikat e shëndetit mendor duhet të formësohen sa më shpejt që të jetë e mundur”, u shpreh ai.
Kryetarja e bordit të Shoqatës së Psikologëve të Shqipërisë, Lorela Garuli, tha se është shumë e rëndësishme që përmes ndërgjegjësimit të ndërtohet një vetëdije shumë më e madhe e shëndetit mendor.
Ndërsa, neuropsikiatri, Sami Rexhepi foli për rëndësinë e institucionalizimit të fushës së shëndetit mendor.
“Nuk kemi askënd të politikës, por është koha e fundit që politikbërësit të ndërgjegjësohen për rëndësinë e shëndetit mendor. Po ju ftoj që 364 ditë të jenë ditë të shëndetit mendor, e kjo ditë të jetë dita e shënimit të sukseseve të arritura në fushën e shëndetit mendor”, tha ai.

Back to top button