Punëtorët e “Kosova Thëngjillit” mbesin pa punë, Qeveria s’mund të ndërhyjë

Punëtorët e “Kosova Thëngjillit” protestuan sot para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, pasi u është ndërprerë puna në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Kërkesa e tyre është të kthehen në punë.
Lidhur me këtë problem zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për portali rtv21.tv ka thënë se Ministria e Ekonomisë është duke e monitoruar gjendjen, ndërsa bëri të ditur se kjo ministri monitoron punën e KEK-ut dhe nuk mund të ndërhyjnë në proceset e kontraktimit dhe tenderimit në mes të kompanive publike dhe private.
“Kosova Thëngjill” sh.a. ka marrëveshje kontraktuale për blerje të thëngjillit me Korporaten Energjetike të Kosovës, kontratë e cila ka përfunduar me blerjen e sasisë së kontraktuar të thëngjillit nga Korporata Energjetike e Kosovës. Ne si ministri monitorojmë punën e KEK dhe nuk mund të ndërhyjmë ne proceset e kontraktimit dhe tenderimit në mes të kompanive publike dhe private”, ka thënë Kryeziu.
Tutje Kryeziu bëri të ditur se zyrtarët e Ministrisësë Ekonomisë janë takuar me menaxhmentin e kompanisë “Kosova Thëngjill” sh.a. ku janë informuar për gjendjen në të cilën ndodhen./21Media

Back to top button