Punëtorët teknik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, edhe sot kanë protestuar për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Tash e disa herë ata po bëjnë thirrje që të plotësohen kërkesat e tyre, meqë siç thonë ata, po u bëhen shumë padrejtësi. Kërkesa e tyre është që t’iu lidhen kontrata më afatgjata dhe jo njëmujore, si deri më tani.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve, Hysni Gashi ka thënë se që nga muaji mars i vitit të kaluar kontratat e tyre janë vazhduar çdo muaj, e kështu kanë humbur edhe të gjitha të drejtat tjera.

“Jena dal sot me i shpreh pakënaqësitë tona që kena, padrejtësitë që janë duke u bërë në shtresën e kësaj klase punëtore. Sidomos gjatë kësaj kohe të pandemisë diku prej muajit mars ka skaduar kontrata që kemi pasur dy vjeçare. Dhe prej muajit mars është vazhduar vetëm nga një muaj. Këta punëtorë kanë humbur të drejtën e kredinave që me to kanë mbijetuar. Kanë humbur të gjitha të drejtat me kontrata një mujore. Prej këtu kemi bërë thirrje që prej muajit mars të fillojmë me kontrata afatgjate. Përndryshe nëse vazhdon ky trend i kontratave një mujore, dy mujore do të jemi për çdo ditë ne këtu”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se kanë kërkuar takim me përfaqësues të rektoratit, por që të njëjtit kanë thënë se për këtë janë përgjegjës Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik. Tenderi ishte shpallur në vitin 2019, por që për dy vjet nuk kanë arritur të përzgjedhin një kompani për kontrata afatgjate.

Veç tjerash, ai ka theksuar se mbi 100 punëtorë nuk janë duke e gëzuar të drejtën për rritje page, e cila atyre u ishte premtuar vitin e kaluar.

“ Pakënaqësi ka boll, trajtimin nuk e bëjnë si duhet, pagat janë shumë të ulëta. Kemi bërë një marrëveshje vitin e kaluar për të një rritje prej 12 për qind. Mirëpo, prej marsit të vitit të kaluar ka pasur rritje, mirëpo me këto kontrata një mujore këta arsyetohen se nuk janë kontrata të reja, jemi duke e vazhduar kontratën e vjetër edhe kështu që rritja ka ngel tek këta”, ka shtuar Gashi.

Në emër të këtyre punëtorëve, ai ka shtuar se do të vazhdojnë të protestojnë para Rektoratit, e në rast se nuk plotësohen këto kërkesa, tha se janë të detyruar që të lënë punën. Në këtë protestë ka marrë pjesë edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili ka thënë se nëse deri në ora 14:00 nuk do të bëhet realizimi i kërkesave, atëherë do ta bllokojnë punën.