Qendra Rehabilituese në Shtime në mungesë të stafit shëndetësor
Qendra Integruese, Rehabilituese e të sëmurëve kronikë psikiatrikë në Shtime po përballet me mungesë të stafit shëndetësor. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) për portalin rtv21.tv ka thënë se në këtë Qendër ofrohet shërbimi 24 orë, por stafi mjekësor nuk po i plotëson nevojat e pacientëve.
“Kjo Qendër, nga aspekti fizik i përmbush kushtet për trajtimin e të sëmurëve kronik psikiatrik. Respektimi i të drejtave të njeriut në këtë Qendër mund të themi që është në nivel por që ka nevojë ende për përmirësim. Sikur, shtimi i numrit të stafit që prek direkt të drejtat në trajtimin e shpejtë dhe në kohë për rezidentët për shkak se numri i stafit është i vogël, në raport me nevojat”, thuhet në përgjigjet e KMDLNj-së për rtv21.tv.
Qendra Rehabilituese në Shtime funksionon në kuadër të Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës (SHSKUK). Portali rtv21.tv ka provuar të marrë përgjigje nga SHSKUK, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Megjithatë, sipas disa të dhënave që figurojnë në webfaqen e këtij institucioni në Qendrën Integruese, Rehabilituese e të sëmurëve kronikë psikiatrikë në Shtime po trajtohen 65 pacientë rezidentë, shumica e këtyre pacientëve sipas SHSKUK-së kanë diagnozën “çrregullim psikotik kronik”. Ndërsa, për këta pacientë kujdesën 39 persona-staf i përgjithshem ku janë të ndarë në sektor të shërbimeve të veçanta si administrata, shërbim mjekësor dhe shërbim teknik.
Përveç stafit shëndetësor, Qendra Integruese, Rehabilituese në Shtime ka nevojë edhe për disa gjëra tjera elementare.
“Më shumë programe të rehabilitimit, të cilat do të ndihmonin rezidentët por edhe do ua lehtësonte punën stafit. Më shumë staf të angazhuar, veçanërisht infermierë. Veshmbathje, pasiqë për shkak të natyrës së sëmundjes dëmtohen më shpejt. Më shumë vëmendje nga shteti dhe shoqëria, e me theks vizita familjare, ngase ka një numër të cilëve familja nuk i viziton asnjëherë. Funizim më i mire dhe pa reduktime në asnjë periudhë të vitit me ujë të pijshëm dhe energji elektrike”, thuhet tutje në përgjigjet e KMDLNj-së.
KMDLNj për portalin rtv21.tv bëri të ditur se i ka rekomanduar SHSKUK-së “që të dëgohen specializantë dhe studentë për praktikë apo specializantë të cilët mund të ndohmojnë stafin por edhe të shfrytëzojnë për çështje studimi apo specializimi”.
E ushqimi dhe barnat, sipas KMDLNj-së nuk mungojnë.
“Fatmirësisht, janë të furnizuar mirë me gjëra ushqimore dhe ushqimi që servohet (3 herë në ditë) i plotëson nevojat e rezidentëve. Edhe nga aspekti farmaceutik, janë të furnizuar me listen esenciale të barërave. Rezidentët janë të ndarë në kategori me kate, ata me probleme më të lehta psikike janë të ndarë prej atyre me probleme më të rënda, por edhe ka hapësira të veçanta për të trajtuar ata me sëmundje infective ose ngjitëse. Në fund të fundit, cilësia e të drejtave të njeriut nuk varet nga individi por nga shteti i cili është i detyruar të garantojë këto të drejta që janë specifike, në rastin konkret”./21Media