Qerimi, Mustafa dhe Gjonbalaj, shpallen të pafajshëm në rastin ‘PTK – Z Mobile’

Gjykata sot ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Ejup Qerimi, Agron Mustafa dhe Rexhë Gjonbalaj në rastin ‘PTK – Z Mobile’.
Gjykata në arsyetimin e saj tha se pas administrimit të provave personale dhe atyre materiale kanë ardhur në përfundim që të akuzuarit të lirohen prej akuzave pasi që nuk janë përmbushur elementet e veprës penale.
Sa i përket lifterimit të SIM kartelave, Gjykata ka ardhur në përfundim se nuk vërtetohet dashja që t’i shkaktohet dëm PTK-së apo ndonjë personi tjetër. Kanë qenë disa interpretime ligjore që ju kanë bërë asaj kontrate mbi bazën e atyre palët edhe kanë ngritur kontest në Arbitrazh.
Sa i përket Vendimit 381, i cili është objekt i aktakuzës është konstatuar se numrat janë rezervuar dhe nuk janë dhënë në shërbim. Mbi këtë bazë edhe kjo pikë ka rënë, sepse ky vendim është zbatuar.
Sa i përket të akuzuarit Agron Mustafa, ai është liruar nga akuza pasi që edhe sipas aktakuzës, edhe sipas dëshmive të dëshmitarëve është vërtetuar Agron Mustafës ishte përpjekur për mos të shkuar çështja në arbitrazh.
Sa i përket të akuzuarit Rexhë Gjonbalaj, ai u lirua nga përgjegjësia penale pasi që bordi është organ kolektiv dhe vendimet merren në mënyrë kolektive dhe vota e tij si kryesues i bordit është e barabartë me të anëtarëve tjerë.
Prokuroria Speciale e ngarkonte Ejup Qerimin se nga muaji shkurt i vitit 2012 e deri në tetor të vitit 2014, duke qenë kryeshef ekzekutiv i PTK-së, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij me qëllim që t’i shkaktonte dëm kompanisë “Dardafon.net”, tani “Z-Mobile”, duke mos zbatuar kontratën e lidhur më 16 janar 2009.
Objekt i kësaj kontrate ishin liferimi i SIM-kartelave, blloqet e numeracionit dhe shërbimet 3G dhe 4G.
Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP), kishte marrë vendim më 18 korrik 2013, për rezervimin e serisë së numeracionit  jo-gjeografik mobil 045xxx xxx për përdorimin e mëtejshëm nga operatori Z-Mobile.
Mirëpo, i pandehuri Ejup Qerimi sipas aktakuzës kishte bërë padi për anulimin e vendimit të ARKEP-së të datës 18 korrik 2013, e cila padi ishte refuzuar dhe vendimi kishte marrë formën e prerë.
Më pas ishte zhvilluar procedura në Arbitrazh, ku më 19 dhjetor 2016 sipas këtij vendimi Telekomi i Kosovës ishte detyruar të paguajë shumën prej 32,856,407.28 euro të dëmtuarës “Dardafon.net”.
Ndërsa Agron Mustafën Prokuroria e akuzon se që nga data 19 shkurt 2015, pasi është zgjedhur kryeshef ekzekutiv i PTK-së e deri me datën 24 maj 2017, kishte lidhur marrëveshje për ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit.
Sipas Prokurorisë, Agron Mustafa me qëllim që t’i shkaktojë dëm “Dardafon.net, nuk kishte zbatuar kontratën e datës 16 janar 2009.
Lidhur me vendimin e Arbitrazhit të datës 19 dhjetor 2016, Agron Mustafa edhe pse ishte në dijeni se ndaj këtij vendimi nuk ishte e lejuar ankesa  kishte angazhuar  ‘’Studio Ligjin’’ që të parashtronte ankesë në Gjykatën e Lartë Angleze, e cila gjykatë e kishte hedhur ankesën dhe kishte obliguar Telekomin e Kosovës që të paguajë shumën prej 32,856.407.28 euro të dëmtuarës “Dardafon.net” tani Z-Mobile, duke mos llogaritur shpenzimet profesionale që kapin shumën prej 198,323.06 euro dhe 65,000.00 funta për Gjykatën angleze.
Ndërsa Rexhë Gjonbalaj akuzohet se duke qenë kryesues i bordit të drejtorëve të PTK-së, nuk ka përmbushur detyrimin e tij me qëllim që të dëmtuarës “Dardafon.net”, tani Z-Mobile, t’i shkaktojë dëm.
Sipas Prokurorisë Rexhë Gjonbalaj nuk kishte përmbushur kontratën e datës 16 janar 2009, nuk kishte respektuar vendimin e ARKEP-së të datës 18 korrik 2013, si dhe nuk kishte përmbushur vendimin e Arbitrazhit të datës 19 dhjetor 2016 me të cilën Telekomi i Kosovës obligohej t’i paguante 32,856.407.28 euro të dëmtuarës “Dardafon.net”, e njohur më vonë se Z-Mobile.
Seanca fillestare ishte mbajtur me datën 27 shtator 2018 në të cilën 3 të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.
Me datën 7 nëntor 2018 ishin parashtruar kundërshtimet dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës, pasi që e njëjta sipas të akuzuarve nuk përmbante as dyshimin e arsyeshëm se të akuzuarit kishin kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës.
Më 18 dhjetor 2018, gjykatësi Lutfi Shala kishte aprovuar kërkesën e të akuzuarve për  hedhjen e aktakuzës  dhe kishte pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarve ndërsa të dëmtuarën “Dardafon.net”, tani Z-Mobile e kishte udhëzuar në kontest civil.
Më 4 shkurt 2019, Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e prokurorit të shtetit  dhe lëndën e kishte kthyer në rivendosje për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike./kallxo

Back to top button