Qeveria: Deklaratat luftënxitëse të Vuçiqit duhet të dënohen ashpër nga SHBA-ja dhe BE-ja

Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në rast se perëndimi në mes të Kosovës dhe Serbisë zgjedh Kosovën, Serbia do ta pres momentin më të mirë të mundshëm, ngjalli reagime.

Qeveria e Kosovës vlerëson se edhe pse kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe retorika luftënxitëse nga krerët e shtetit serb kanë një histori të gjatë që përsëritet vazhdimisht, ato nuk duhet të kthehen në deklarata normale të rendit të ditës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu në përgjigje për RTV21, tha se deklaratat e tilla duhet të dënohen ashpër nga faktori ndërkombëtar.

“Ato nuk mund të shpërfillen e as të injorohen, apo të cilësohen thjesht si deklarata për konsum të brendshëm. Ato duhet të përcillen me vigjilencë të lartë dhe të dënohen ashpër edhe nga komuniteti ndërkombëtar, si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-ja, Mbretëria e Bashkuar e me radhë. Si një peng i së kaluar që është e i dëshpëruar që nuk mund ta kthejë kohë mbrapa, Vuçiq shpreson rrezikshëm që metodat e së kaluarës një ditë mund të jenë zgjidhja në të ardhmen”, tha Kryeziu./21Media

Back to top button