Qeveria demanton pretendimet e Rakiqit se forca speciale po përgatiten të hyjnë në veri

Qeveria e Kosovës i hodhi poshtë pretendimet e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përgatit dërgimin e forcave të tij speciale, ROSU, “për të përndjekur” serbë nga pjesa veriore e vendit.
Për portalin rtv21.tv zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se shpikje të tilla, si kjo e Rakiqit sot, qëllim kanë arsyetimin dhe mirëmbajtjen e barrikadave në veri të vendit.
”Absolutisht e pavërtetë. Shpikje të tilla, si kjo e Rakiq sot, qëllim kanë arsyetimin dhe mirëmbajtjen e barrikadave në veri të vendit, e të cilat duhet të largohen menjëherë. Ftojmë qytetarët tanë në veri t’i ndjekin njoftimet dhe t’u besojnë institucioneve tona dhe mos të bien pre e dezinformimit të grupeve kriminale që synim kanë ta mbrojnë vetëm veten. Policia e Kosovës është aty për sigurinë e të gjithë qytetarëve”, tha Kryeziu.
Më herët, udhëheqësi i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se në bazë të informacioneve që ka, Kurti do të dërgojë të dielën mbrëma forca të armatosura, përfshirë njësinë speciale, në veri të Kosovës, “për të përndjekur popullin tonë”.

Back to top button