Qeveria e 3-të teknike me Kryeministër shqiptarë/Dimitriev dhe Spasovski ishin më shumë se 100 ditë, si do të jetë tani?!

Para gati 8 vjetëve, Qeveria teknike ose siç njihej atëherë Qeveria e Përzhinos u vendos pas krizës së madhe politike me zbulimin e aferës së përgjimeve masive. Në negociatat që atëherë udhëhiqeshin mes katër partive më të mëdha, u arrit marrëveshja e Përzhinos, ku mes tjerash u vendos që në të ardhmen 100 ditë para zgjedhjeve të kemi Qeveri teknike.
“Kjo është ditë e jashtëzakonshme për vendin tuaj. Arritëm të nënshkruajmë marrëveshja nga liderët e katër partive më të mëdha dhe jam i kënaqur nga e arritura, me çka do të kemi edhe zgjedhje të parakohshme. Më tej do të fokusohemi në rekomandimet e PRIBE-së dhe rekomandimet tjera të Komisionit Europian”, tha Johanes Han, ish eurokomesar.

Marrëveshja parashihte kryeministri teknik të jetë nga radhët e partisë në pushtet, por ai të mos jetë personazh që e udhëheq Qeverinë politike. Kështu në vitin 2016 vijoi dorëheqja e Nikolla Gruevskit nga kolltuku kryesorë në pushtetin ekzekutiv.

“Deri te Kryeparlamentari i Republikës së Maqedonisë do ta dërgoj letrën time me dorëheqjen nga funksioni Kryetarë i Qeverisë, që do të jetë efektive 100 ditë para datës zyrtare të zgjedhjeve, ishte shprehur Nikolla Gruevski”, ish kryeministër.

Në vendin e tij u vendos kryeministri i parë teknik, Emil Dimitriev, nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Gjatë votimit për Qeverinë e Dimitrievit, deputetët e LSDM-së e lëshuan sallën e kuvendit.

“E inkurajoj KSHZ-në në punën e saj të veprojë në mënyrë të paanshme, të lirë nga çdo presion, në mënyrë parimore, shtetërore, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin dhe të jemi fuqi lëvizëse e cila do të tregojë lidership në organizimin e procesit zgjedhor”, kishte thënë Emil Dimitriev, ish kryeministër teknik.

Qeveria e dytë teknike ndodhi para zgjedhjeve në verën e vitit 2020. Edhe Zoran Zaev atëherë dha dorëheqje nga funksioni i kryeministrit, por për dallim nga paraprijësi i tij, ai pas zgjedhjeve u kthye përsëri në funksionin e mëparshëm. Në këtë Qeveri teknike kryeministër teknik u emërua Oliver Spasovski.

“Kemi përgjegjësi historike që të vazhdojmë me organizimin e zgjedhjeve që i ngjajnë Maqedonisë europiane, e cila synon anëtarësim të plotfuqishëm në BE. Apeloj posaçërisht deri te opozita që përgjegjësinë për zbatimin e zgjedhjeve tani është gjithashtu edhe e juaja”, ishte shprehur Oliver Spasovski, ish kryeministër teknik.

Karakteristike për të dy kryeministrat teknik është se ata e tejkaluan mandatin prej 100 ditëve të parapara. Mandati i kryeministrit të parë teknik, Emil Dimitriev u vazhdua për shkak të krizës së rëndë politike dhe përplasjeve mes partive për çka u prolongua edhe termini për mbajtjen e zgjedhjeve deri në fund të vitit 2016. Qeveria e dytë teknike e Oliver Spasovskit, gjithashtu tejkaloi afatin e paraparë prej 100 ditëve për shkak të pandemisë së virusit Korona pas çka gjithashtu u prolonguan zgjedhjet.

Qeveria teknike ka mandat për të zbatuar zgjedhjet, ndërsa në atë periudhë nuk lejohet shpallja i tenderëve, dhënia e subvencioneve, punësimi dhe gjithçka që mund të ndikojë në interes të fushatës zgjedhore. Andaj është paraparë që në Qeverinë teknike, opozita të nominoj kuadro të veta për ministër të punëve të brendshme si dhe për punë dhe politikë sociale, si dhe zv.ministra shtesë në bujqësi, financa si dhe në Ministrinë për shoqëri administrative dhe administratë. Partia në pushtet vendos zv.ministra shtesë në MPB dhe MPPS, ku opozita ka ministra. Këto pesë resorë ku në ministri janë të vendosur kuadro të pushtetit dhe opozitës, ministrat teknik dhe zv.ministrat shtesë kanë për obligim vendimmarrje të përbashkët dhe nënshkrime të lidhura, ndërsa konfliktet mes tyre i zgjidh KSHZ-ja e cila gjatë kohës së dy qeverive të mëparshme teknike, në vitin 2016 dhe 2020 kishte shumë punë.

Përndryshe viteve të fundit kishte shumë vërejtje se modeli i tillë i Qeverisë teknike deri në zgjedhje jo vetëm që është jofunksional, por edhe bie ngjesh me Kushtetutën. Përkundër 100 ditëve të parapara të Qeverisë teknike deri në zgjedhje, në Kushtetutë thuhet se zgjedhjet mbahen në 90 ditët e fundit të mandatit të përbërjes së deputetëve ose kur bëhet fjalë për zgjedhje të parakohshme, 60 ditë nga shpërbërja e Kuvendit./TV21

Back to top button