Qeveria e Kosovës për RTV21: Është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëashme

(Lajm i përditësuar)


Qeveria e Kosovës pas anulimit të mbledhjes së përbashkët Kosovë-Shqipëri, të paraparë të mbahej të mërkurën në Gjakovë, tha se është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëashme.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për RTV21 tha se takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër.

“Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të madhe organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkrueshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato. Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëashme”, ka thënë Kryeziu.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencë për media, ka thënë se i ka propozuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, një takim në një format më të ngushtë, ku do të merrnin pjesë edhe ministrat e jashtëm dhe ata të brendshëm, porse Kurti ka refuzuar.


Kurti: Mbledhjet Shqipëri-Kosovë nuk do të duhej të anuloheshin nga askush

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk ka informacione për anulimin e mbledhjes mes dy qeverive, të Kosovës dhe të Shqipërisë, e planifikuar për të mërkurën e 14 qershorit në Gjakovë, përcjell rtv21.tv

“Unë posa mbrriva këtu dhe nuk kam informacion, po shkoj ta ndjekë koncertin dhe mendoj që mbledhjet Shqipëri-Kosovë nuk duhej të anuloheshin nga askush”, tha Kurti në një prononcim për media.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencë të jashtëzakonshme për media ka konfirmuar se mbledhja mes dy qeverive nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar./21Media

Back to top button