Qeveria e Kosovës: Portugalia mbështet liberalizimin e vizave pa kushte të reja
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në takim delegacionin parlamentar nga Portugalia të përbërë nga kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, deputeti Sergio Sousa Pinto, koordinatori politik i Partisë Socialdemokrate dhe anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme, deputeti Tiago Moreira de Sa dhe këshilltari i kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme, Raul Oliveira.
Duke folur në emër të delegacionit, deputeti nga radhët e Partisë Socialiste e cila drejton Qeverinë e Portugalisë nga viti 2015, Sergio Sousa Pinto tha se së bashku me deputetin De Sa, përfaqësojnë konsensusin nacional të Portugalisë sa i përket rajonit. Si vend mik dhe aleat i Kosovës, ai konfirmoi mbështetjen e Portugalisë drejt integrimit të plotë të Kosovës në strukturat euro-atlantike, BE dhe NATO.
Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës thuhet se në takim u theksuar se Portugalia gjithashtu mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën pa kushte të reja.
Kurti i uroi mirëseardhje në Kosovë delegacionit portugez dhe falënderoi Portugalinë për mbështetjen e hershme dhe të vazhdueshme ndaj vendit, popullit dhe shtetit tonë, veçanërisht në fushën e sigurisë nëpërmjet trupave të saj në kuadër të misionit të KFOR-it.
Ndër të tjera, Kurti foli për rolin e rëndësishëm që Portugalia mund të luajë në raport me vendet mos-njohëse, me theks te Spanja dhe Brazili.
Sa i përket marrëdhënieve të mira dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Portugalisë, kryeministri Kurti bëri ftesë për rritje të shkëmbimeve tregtare, kulturore dhe ekonomike teksa e njoftoi delegacionin me indikatorët më të fundit ekonomikë dhe demokratikë të vendit si dhe mundësitë që Kosova ofron për investitorë të huaj.
Në fund, u shkëmbyen këndvështrime në lidhje me luftën në Ukrainë, për të cilën ndanë qëndrime të njëjta duke e cilësuar atë si akt agresioni të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse ndaj popullit dhe shtetit të Ukrainës. Kurti e njoftoi delegacionin portugez për vendimet e Qeverisë në ngritjen e sanksioneve ndaj Rusisë në përputhje me sanksionet e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar si dhe për programin e Qeverisë për akomodimin e 20 gazetarëve ukrainas, 11 prej të cilëve tashmë janë banorë të Prishtinës. Ai shtoi se solidariteti ndaj Ukrainës duhet të vazhdojë./21Media
