Qeveria është e gatshme të rrisë bashkëpunimin me qeverinë e Arabisë Saudite

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot takoi ambasadorin jorezident të Mbretërisë së Arabisë Saudite në Kosovë, Faisal Ghazi Hafizi, të cilit i uroi ambasadorit mirëseardhje në Kosovë dhe suksese në detyrën e tij të re.
Kontributi dhe roli i Arabisë Saudite për pavarësinë e vendit sikurse dhe ndihma socio-ekonomike dhe mbështetja e vazhdueshme në arenën ndërkombëtare janë dëshmi se Kosova dhe Arabia Saudite janë miq dhe partnerë me lidhje të shumta dhe të mira, tha gjatë takimit kryeministri Kurti.
Siç informoi Zyra e Kryeministrit, Kurti e falënderoi Arabinë Saudite për mbështetjen që ajo i kishte dhënë Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në 2011 ka konkluduar se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme.
Kurti shtoi se qeveria që udhëheq është e gatshme të rrisë bashkëpunimin me qeverinë e Arabisë Saudite në shërbim të marrëveshjeve të reja mes dy vendeve, sidomos në fushën e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare, që i përgjigjen interesave të përbashkëta.
Ndërsa, siç u theksua, ambasadori Hafizi e falënderoi kryeministrin Kurti për mikpritjen dhe ia përcolli përshëndetjet nga mbreti dhe familja mbretërore e Arabisë Saudite. Ai u shpreh se vendet dhe popujt tonë kanë lidhje vëllazërore, kulturore dhe fetare, dhe tha se do të punojë në konsolidimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve tona.​/21Media

Back to top button