Qeveria i ndan 300 mijë euro për vazhdimin e një projekti që ngeci për shkak të masave të BE-së

Qeveria miratoi ndarjen e 300 mijë eurove për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, pas kërkesës së ministrit Nenad Rashiq. Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se ndarja e këtyre mjeteve erdhi pasi ka ngecur realizimi i një projekti përmes marrëveshjeve me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Murati tha se projekti ngeci për shkak të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
“Kishim edhe një ndarje për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim në vlerë 300 mijë euro. Kjo ndarje vjen si rezultat i ngecjes së projektit që kanë në raport me mbështetjen e komuniteteve pakicë. Dhe kjo ngecje e projektit ka ndodh pikërisht për shkak të masave të Bashkimit Evropian dhe kufizimeve të tyre. Do me thënë, një veprim i Bashkimit Evropian që ka qenë gjoja për shkak të shtensionimit të situatës në vendbanimet që banohen nga komunitetet joshumicë ka rezultuar pikërisht në dëmtim të interesave të komunitetit joshumicë”, tha ai në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Murati tha se vendosën të mos e presin heqjen e masave, por ta financojnë vetë projektin. Megjithatë, ai i bëri thirrje BE-së që masat “të hiqen sa më parë”.
“Megjithatë, për shkak se e kemi vlerësuar të arsyeshme kërkesën e ministrit Rashiq, si Ministri e Financave kemi procedu sot dhe kemi marrë mbështetjen që këto mjete të ndahen, pra të mos e presim Bashkimin Evropian deri sa t’i heq masat, por ne si Qeveri të paguajmë pjesën tonë në mënyrë që projekti të vazhdojë, me shpresën dhe thirrjen edhe një herë ndaj Bashkimit Evropian që këto masa të padrejta që kanë prodhuar vetëm kundër-efekt deri më tani, të hiqen sa më parë sepse nuk përkojnë me gjendjen dhe situatën reale në terren”, tha Murati.