Qeveria lëvdohet për zhvillim ekonomik, qytetarët thonë se mezi ia dalin

Institucionet e Kosovës thonë se kanë arritur të rrisin ekonominë e vendit dhe se kanë mbështetur qytetarin me politikat ekonomike. Por, këta të fundit kanë folur për vështirësitë me të cilat përballen përfshirë rritjen e çmimeve dhe rrjedhimisht edhe pagat e vogla. Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, thotë se subvencionet e ndara për qytetarët bëjnë një zgjidhje të shpejtë, por jo afatgjate.

Kryeministri Kurti në fundvit përzgjodhi të fliste për rritjen e madhe ekonomike të vendit dhe përkujdesjen për qytetarët e Kosovës, përmes shpërndarjes së subvencioneve për kategoritë e ndryshme të shoqërisë. Për, siç tha Kurti, punët e mira në zhvillimin ekonomik do t’ia kishin për lakmi shumë shtete dhe sërish pëmendi mbështetjen që shteti, sipas tij, i ka dhënë ndërmarrësve në vend.

“Me politikat tona zhvillimore po e rrisim ekonominë e vendit dhe po e mbështesim si asnjë herë më parë qytetarët, bizneset dhe ndërmarrësit e sektorëve industrial e prodhues. Rritjen ekonomike dhe të hyrave tatimore e kemi rishpërndarë tek qytetarët, pra nuk e kemi mbajtur për shtetin, veçanërisht në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike ku qytetarët dhe bizneset përfituan nga subvencionimi”, tha Kurti.

Por lavdet e kryeministrit për jetën më të mirë të qytetarëve nuk u mbështetën nga këta të fundit. Ata flasin për sfidat gjatë vitit sidomos me rritjen e vazhdueshme e çmimeve.

”Shumë me zor e kalojna mujin, me diqysh, shumë ligsht, rrogat e vogla mos vet po çka me ba”, tha një qytetar.

“Vështirë unë plus si pensioner po e shtyjmë disi çmimet gati 100% kanë hyp ma vshtirë e përballueshme”, tha një qytetar tjetër për RTV21.

Sipas statistikave zyrtare, Kosova po e përmbyllë vitin 2023, me një rritje ekonomike prej mbi tre përqind, megjithëse Qeveria prej muajsh ka parashikuar rritje më të madhe. Ish-guvernatori i bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, thotë se rritja prej 3% është një rritje natyrale. Ai çështjen e subvencioneve e ka parë si kalimtare dhe sipas tij sfidë mbetet papunësia dhe importi shumë i lartë i produkteve

“Ne të gjithë jemi familjarë dhe realisht nëse e shohim një shportë me produkte bazike nëse para pandemisë e kemi blerë me 100 euro, në këtë kohë që po flasim nuk mund ta mbushin as me 150 euro pra ky është dallimi, fokusi i qeverisë duhet të jetë në rritje të mirëqenies së qytetarëve cilat janë papunësia dhe deficiti tregtar, për ti arritur këto dyja ne duhet të kemi një rritje ekonomike prej 5-6 %, çështja e subvencioneve është një zgjidhje aty për aty pra nuk është zgjidhje e problemit afatgjatë”, tha Mehmeti për RTV21.

Njohës të fushës së ekonomisë kanë vlerësuar se viti 2024 Kosovën do ta gjejë me një inflacion prej rreth 20%, shumë më e lartë se sa një vit më parë./21Media

Back to top button